Rama nga New York-u, në një takim me gazetarët e mediave shqiptare ka treguar rolin që ka Shqipëria kundrejt Rusisë.
Ai gjithashtu tha se Shqipëria është më e respektuar aktualisht në arenën ndërkombëtare duke u nisur nga prania e tanishme në Këshillin e Sigurimit si edhe marrja e presidencës së këtij këshilli në qershor.
“Asnjë nuk e kishte kurajon ta shikonte në ëndrrën më të guximshme disa vite me parë. Jemi në Këshillin e Sigurimit siç ishim në krye të OSBE-së. Jemi një vend i vogël, nuk pretendojmë të luajmë role që s’na takojnë, por i kemi dhënë vendit dinjitet dhe respekt që nuk i kemi patur deri dje. Në çdo tryezë ne sillemi si të barabartë dhe trajtohemi si të barabartë nga kushdo qoftë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se Rusia nuk shihet si një vend armik, por një shtet rival për shkak të zhvillimeve gjeopolitike.
“Ne nuk kemi asnjë problem tonin me Rusinë. Rusia nuk është një vend armik. Rusia nuk është një vend kundërshtar. Unë këtë kam thënë në çdo instancë. Rusia nuk është armik i yni dhe as i aleancës tonë. Është një vend konkurrent për arsye të njohura të gjeopolitikës. Besoj që çdo mundësi çdo rast, çdo shans për komunikim duhet shfrytëzuar maksimalisht”, tha Rama.