Rama: Në buxhetin e 2024 përfitojnë libra falas 231 mijë nxënës

Me buxhetin e vitit 2024, 231 mijë nxënës do të përfitojnë libra falas.

Rama, përmes një postimi në Facebook, bën me dije se janë 231 mijë nxënës nga klasa e parë deri në të nëntën që do të përfitojnë librat falas.

Ndërkohë, disa ditë më parë, Rama njoftoi se me buxhetin e ri do të përfitojnë rritje page 30 mijë mësues të arsimit parauniversitar.

Më 8 nëntor 2023, inistrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu prezantoi në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, projektligjin “Për Buxhetin e Vitit 2024” për arsimin dhe sportin, i cili parashikohet të arrijë në vlerën e 52 miliardë e 223 milionë lekëve.

Manastirliu theksoi se në buxhetin e vitit të ardhshëm parashikohet një rritje page për mësuesit, si dhe për punonjësit psiko-socialë dhe oficerët e sigurisë në shkolla.

“Buxheti 2024 do të mbështesë rritjen e pagave mbi 30 mijë mësues në shërbim të rreth 300 mijë nxënësve që ndjekin arsimin publik dhe 1,700 mësuesve ndihmës, në mbështetje të fëmijëve me aftësi të veçanta, për rritjen e nivelit të tyre akademik, ndërkohë që është parashikuar që ky numër të shtohet me 100 punonjës të rinj. Gjithashtu do të garantohet mbështetje për 850 punonjës psiko-socialë dhe 220 punonjës oficerë sigurie në shkolla”, tha ministrja.

Gjithashtu me buxhetin e ri, librat e shkollës do të jepen falas për 231 mijë nxënësit nga klasa e I – 9, si dhe për rreth 18 mijë nxënës nga shtresat sociale në nevojë që ndjekin arsimin e mesëm të lartë. Buxheti 2024 do të sigurojë transportin falas gjatë vitit për mbi 38 mijë nxënës dhe 12 mijë mësues. Buxheti 2024 do të mbështesë rreth 3,600 nxënës të arsimit parauniversitar nga shtresat sociale në nevojë.

Manastirliu tha se investimet do të vijojnë intesivisht në objekte shkollore dhe brenda ciklit të 2023-2024 do të përmbyllen investimet ne 30 shkolla të reja.

Do të sigurohet mbështetja me bursa për rreth 3,600 nxënës të familjeve në nevojë që ndjekin arsimin parauniversitar./Albeu.com


Shtuar 13.11.2023 08:21