Rama ndryshon “planet” e qeverisë: Të moshuarit do i vaksinojmë me Sputnik!

Kryeministri Edi Rama me Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu kanë ndjekur nga afër procesin e vaksinimit e pedagogëve të parë në Tiranë, në ambientet e Universitetit Politeknik.

“Ka filluar vaksinimi i pedagogëve, sot vaksinohen këtu në Universitetin e Tiranës 200 pedagogë. Në tërësi janë vaksinuar mbi 12 mijë arsimtarë ose 30% e mësuesve e kanë marrë dozën e parë të vaksinës AstraZeneca. Kemi arritur në një mbi 48 mijë vaksinime, ndërkohë që procesi po vijon”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha se me dozat e ardhura dje të vaksinave Sputnik, do të vijojë vaksinimi i të moshuarve +80 vjeç, ndërkohë që në ditët në vijim pritet intensifikimi i procesit të vaksinimit.
“Me dozat që erdhën dje do të vijojmë vaksinimin e të moshuarve +80, duke ndjekur planin e vaksnimit. Në tërësi bashkë me dozat e ardhura dje, kemi 90 mijë doza vaksine në total.

Ndërkohë që presim që të na vijnë doza të tjera nga Pfizer në ditët e para të prillit. Gjithashtu presim nga Covax edhe një sasi tjetër të AstraZeneca, deri tani kemi një të dhënë për 60 mijë deri në 80 mijë vaksina të AstraZeneca. Dhe po konkludojmë negociatat që kemi hapur përsa i përket edhe fillimit të vaksinimit masiv”, tha Manastirliu.

Që prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 48,215 doza të vaksinës ndaj COVID19.
Janë kryer 27,872 vaksinime për personelin shëndetësor dhe stafet mbështetëse, 7,932 vaksinime për të moshuarit dhe 12,411 vaksinime për arsimtarët. Procesi i vaksinimit po kryhet sipas të gjithë parametrave të sigurisë dhe cilësisë nga ekipe të trajnuar vaksinatorësh.

 

Shtuar 23.03.2021 10:03