Rama: Meta tallet me njerëzit me dekorata pa vlerë, “21 Janari” do rihapet ashtu siç u hap “Gërdeci”

Kryeministri Edi Rama, në një komunikim live në Facebook, ka komentuar vizitën e presidentit Ilir Meta në Korçë.

Rama u shpreh se Meta nuk mund të bëjë asgjë tjetër përveçse të shpërndajë dekorata pa asnjë vlerë.

“Për çfarë të përgjigjet Ilir Meta për 21 Janarin. Çfarë mund të bëjë tjetër Ilir Meta veçse të shpërndajë dekorata. Dekorata pa asnjë vlerë që janë një tallje e madhe për ata njerëz”, tha ai.

Më tej në fjalën e tij, Rama tha se drejtësia e re do të veprojë për 21 janarin njësoj siç u hap dosja e Gërdecit.

Ai u shpreh se drejtësia do të veprojë për 21 Janarin duke e rihapur dosjen ashtu si bëri me Gërdecin.  “Drejtësinë do ta bëjë drejtësia dhe Gërdeci është rihapur. Si mund ta kesh ndjekur dhe mbase e ke ndjekur, gjykata e rihapi duke thënë një fjalë shumë të madhe. Durim dhe jam i bindur dhe gjykata do thotë 21 Janari nuk është gjykuar. Gjyqe të kësaj natyre edhe në vende me drejtësi të konsoliduar marrin shumë kohë”, u shpreh Rama./albeu.com


Shtuar 21.01.2022 13:45