Ditën e sotme, kryeministri i vendit Edi Rama, Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Rishi Sunak dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni, do të takohen në Romë të Italisë.
Ky lajm është bërë me dije nga mediat e huaja.
Takimi do të zhvillohet sot në rezidencën e kryeministres italiane dhe në fokus të diskutimeve do të jetë emigracioni i paligjshëm.
Zyra e Sunak tha se takimi do të “përqendrohet në përpjekjet e përbashkëta për të trajtuar emigracionin e paligjshëm dhe krimin e organizuar”.
Si Meloni ashtu dhe Sunak, kanë marrëveshje me Shqipërinë në përpjekje për të adresuar emigracionin e paligjshëm, ku sipas marrëveshjes me Britaninë, të nënshkruar një vit më parë, shqiptarët që mbërrijnë me gomone përtej Kanalit mund të kthehen menjëherë.
Pothuajse një e treta e të gjithë atyre që mbërritën në Mbretërinë e Bashkuar me gomone në vitin 2022 ishin shqiptarë.
Ndërsa muajin e kaluar më 6 nëntor, Meloni dhe Rama njoftuan një marrëveshje për strehimin e emigrantëve në Shqipëri përmes dy qendrave; ajo e pritjes në Shëngjin dhe ajo e akomodimit në Gjadër të Lezhës.
Sipas marrëveshjes në Shqipëri, do të vendosen vetëm ata emigrantë që do të shpëtohen jashtë ujrave territorialë italianë dhe europianë, pra përtej ujrave malteze.
E gjithë kjo për të parandaluar përplasjen me të drejtën europiane, ku padyshim zbatohet vetëm në territorin apo detin europian.
Marrëveshja u kritikua nga partitë opozitare në të dy vendet, ndërsa të mërkurën, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë bllokoi përkohësisht ratifikimin e marrëveshjes nga parlamenti derisa të shqyrtojë kërkesën e opozitës.