Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ishte mbrëmjen e sotme i ftuar në emisionin “Log.” në ABC përballë gazetarit Endri Xhafo së bashku me analistët Mentor Nazarko dhe Neritan Alibali.
Ish-kryeministri bëri me dije se Gjykata ka njohur Kuvendin e 11 dhjetorit të mbajtur në stadiumin “Air Albania.”
Berisha: Ka një Gjykatë që ka vendosur dhe këtë vendim e mban peng Rama.
Nazarko: Por si e mban peng Rama?
Berisha: Problemi është se kjo gjykatëse mercenare me zero integritet profesional shpalli palë atë që nuk ishte palë. Nëse në drejtësi shpallet palë ajo që nuk është palë, është asgjësim i drejtësisë. Kjo gjykatëse, një muaj më parë kur pala jonë paraqiti një ankesë, tha nuk jeni palë.
Sa i përket dështimit të bashkimit të PD-së, Berisha tha se grupi i Alibeajt e dha përgjigjen e hapur sot duke mos pranuar statutin e 11 dhjetorit. Berisha theksoi se, lidhur me propozimin e Bardhit për të zhvilluar sondazhe, është dakord, por duke pasur përcaktuese Primaret.
Berisha: Alibeaj i dha përgjigje të hapur, nuk pranon statutin e 11 dhjetorit. Ata kërkuan të tejkalohet statuti i 11 dhjetorit. Atë s’mund ta bëja unë. Atë e bënte Lulzim Basha dhe nuk pyeste Kushtetutë. Secili prej tyre është i ftuar të kandidojë ku të dojë në primare dhe është i mirëpritur. Janë të mirëpritur të kërkojnë mekanizmat transparente të procesit. Nëse nuk e gjejnë veten në këtë formë, ka një nen statuti, atë të fraksionit. Unë i pranoj pollët, por përcaktuese janë primaret. Nuk mund kurrë të them që polli është i barasvlefshëm me primaret, përndryshe bora nuk bënte votime por bënte polle.