Raportet mes qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës janë në nivelin më të ulët të tyre që prej periudhës së pasluftës kur pushtetin e mori UÇK-ja.
Pak më parë kryeministri Rama konfirmoi në një konferencë për shtyp se ishte anuluar mbledhja e përbashkët e qeverive e planifikuar për nesër në Gjakovë.
Sipas Ramës, mbledhja ishte anuluar pasi nuk ishin marrë vesh me Kurtin për modulin e saj.
Rama tha se kushtet e reja të sigurisë të krijuara në Kosovë bënin që mbledhja të mund të zhvillohej e ngushtë ku do të merrnin pjesë kryeministrat, ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes, gjë të cilën sipas tij Kurti e refuzoi duke kërkuar një mbledhje normale.
Gjithçka ndodhi pas toneve tallëse që pati sot Kurti ndaj propozimit të Ramës për vetëorganizimin e serbëve në Kosovë, për të cilën kryeministri i Kosovës tha se Rama fillimisht mund t’ia propozonte si draft Vuçiçit gjatë mbledhjeve për Ballkanin e Hapur, dokument i cili do të shërbente edhe për shqiptarët e Kosovës.
Kaq u desh dhe si me magji nëpër mediat e Kosovës filloi të qarkullonte lajmi i anulimit të mbledhjes së përbashkët, gjë të cilën Rama doli ta konfirmonte duke dhënë edhe versionin e tij.
Në fakt, më shumë se çështje mosmarrëveshjesh mbi modulin e mbledhjes, gjithçka duket se po zhvillohet në terrenin e një raporti të ngrirë Rama-Kurti, ku kryeministri i Shqipërisë kërkon të marrë rolin e negociatorit mes kryeministrit të Kosovës, serbëve dhe ndërkombëtarëve, gjë e cila po i mohohet sipas tij nga vetë Kurti.
Duket të jetë pikërisht ky rol i mohuar prej Kurtit që ka rritur nervozizmin e Ramës ndaj tij, si edhe qasjet e Ramës ndaj qendrimeve të Kurtit që kanë rritur skepticizmin në Kosovë mbi qëllimet e kryeministrit të Shqipërisë. /albeu.com