Rama i ftoi në bashkëpunim, Grida Duma e refuzon publikisht: Qimja ndërrohet, zakoni jo!

Në një bisedë me Juli Xhokaxhi në ABC, Grida Duma ka përsëritur edhe një herë se Partia Demokratike është duke mbledhur fakte për deformimin e votës së qytetarëve më 25 prill. Duma shtoi se PD mund t’u drejtohet edhe institucioneve të drejtësisë ndërkombëtare.

“PD po mbledh faktet për deformimin e votës. Ne duhet të shkojmë në institucionet e drejtësisë ndërkombëtare, ndryshe kjo e keqe mund të përsëritet pa fund…Edhe sikur të marrim 2-3 mandate më shumë, nuk duhet të ndjehemi që duam t’i ikim kësaj beteje.”

PD nuk i ka pranuar rezultatet e zgjedhjeve, por a do të futen ata që fituan mandatet në Parlament në shtator? Grida Duma thotë se në parim ajo mendon që duhen përdorur të gjitha metodat, dhe këtu përfshihet edhe futja në parlament.

Por, ajo shtoi se vendimi final i përket forumeve të partisë.

“Do hymë apo jo në parlament është një vendim që do merret brenda forumeve. As e konfirmoj as e mohoj. Në parim, ne e provuam që ditën të sakrifikohemi duke iu shmangur çdo gjëje. Për të treguar që nuk jemi palë. Siç nuk po lëmë asnjë votë pa e ndjekur rast pas rasti. Duhet të forcojmë pikat e forta. Nuk duhet lënë asnjë pikë  e kësaj forcëe. Do të jem pjesë e një vendimi kolegjial. Pikat e forta duhen forcuar. Mandatet nuk janë pak.”

Ndërsa, e pyetur për shtrirjen e dorës që kryeministri Edi Rama ka përmendur pas fitores së zgjedhjeve, zonja Duma tha se nuk beson asnjë fjalë të tij.

“Kur e ke prerë mendjen që ky njeriu ky është, nuk do ta çosh ne riedukim. Qimja ndërrohet por zakoni jo. Ai nuk ka limite.”

Megjithatë, ajo shtoi se për çështje kombëtare siç mund të jetë shëndetësia apo arsimi mund të bëhet bashkëpunim vetëm nëse vërtetohet funksionimi i institucioneve. Sa i përket situatës në Selinë Blu pas humbjes së zgjedhjeve, Grida Duma tha se analiza do të nisë sapo të mbyllen piketat për ndjekjet e rasteve dhe pastaj partia futet në proces analize. /abcnews.al


Shtuar 4.05.2021 17:16