Sot, kryeministri Edi Rama pritet të shkojë në Presidencë për t’i dorëzuar kreut të shtetit Bajram Begaj propozimet e fundit për ndryshimet në qeveri.
Kujtojmë se Rama, dy ditë më parë, ka shkarkuar si ministër të Brendshëm Bledi Çuçin dhe në vend të tij ka emëruar Taulant Ballën.
Shkarkimi i Çuçit erdhi pas publikimit në media të një video ku shfaqeshin anëtarët e fisit Rraja duke dhunaur barbarisht dy kushërinj të fisit Maja në Borizanë, pasi këta të fundit kishin denoncuar në polici për dëmet që u kishte shkaktuar gurorja në banesa.
Për këtë ngjarje dha dorëheqje dhe deputeti i PS-së Rrahman Rraja, duke qenë se personat e përfshirë në ngjarje ishin familjarët e tij, përfshirë djalin dhe vëllain.
Ndërkohë, sot pritet të ketë dhe mbledhje të Grupit Parlamentar të PS, në orën 10:00.
Nuk dihet nëse grupi do të dalë sot me emrin e pasusit të Taulant Ballës në krye të grupit. Nuk përjashtohet mundësia që detyrën e kryetarit të grupit ta mbajë sekretari i përgjithshëm Damian Gjiknuri, sikur Balla i ka mbajtur më parë dy postet.
Një tjetër emër nga PS pritet që të vendoset kryetar i delegacionit të parlamentit të Shqipërisë në PE, si dhe zëvendës Kryetar i Këshillit Kombëtar të Integrimit, poste që deri tani i ka mbajtur Balla.