Rama futi 74 deputetë në Kuvend! PD s’e përtyp humbjen, shpresa tek votat e pavlefshme

Partia Demokratike ka ende shpresë për përmbysje rezultati kur kanë kaluar më shumë se 24 orë pas daljes së rezultatit të zgjedhjeve të 25 prillit nga ku doli e humbur me 63 mandate përballë Partisë Socialiste që mori 74 të tillë. I ftuar në studion e lajmeve në Neës 24, Enkelejd Alibeja tha se votat e pavlefshme mund të përmbysin rezultatin e lëxuar tashmë dhe mund të ndryshojnë gjithçka. Për këtë arsye, përfaqësuesi ligjor i PD-së Ivi Kaso ka depozituar edhe një kërkesë në KQZ-së ku ka kërkuar mbledhjen e të gjitha informacioneve e pamjeve filmike për të parë vetë shkeljet e bëra gjatë procesit të numërimit.

Edhe nga Lëvizja Socialiste për Integrim ka pretendime për tjetërsim votash, pasi edhe kjo parti depozitoi të njëjtën kërkesë në KQZ. Në një deklaratë për mediat, Vasili teksa publikoi disa foto tha se nga qindra kuti që janë për t’u numëruar, vetëm në 4 kutitë e para janë gjetur rreth 20 vota që i përkasin Lëvizjes Socialiste për Integrim, ose që janë vlerësuar të pavlefshme, por që çuditërisht janë numëruar si vota të Partisë Socialiste.

Ish-kryeministri Sali Berisha e cilësoi një rekord të zi për demokracinë e Shqipërisë, 25 prillin. Në një status në Facebook, Berisha shkroi se kanabisi i mbjellë në të gjithë Shqipërinë në vitin 2020 u kthye në të paktën 12 mandate në vend, dhe këto mandate do të kthehen sërish në drogë. Ai shton e klanet Gjici, Frroku, Beqaj, Sterkaj, Ndreu, Ndreca, Malaj, Rraja, Ahmeti, Manstirliu, Balluku, Koka, Çyrbja, Balla, Gjiknuri, Brace Peleshi, Klosi, Çuçi, kanë shpenzuar mijëra euro, së paku dhjetëfishi i shumave të shpenzuara nga Tom Doshi po për të njëjtin qëllim, për blerje votash me ushqime, para e favore të tjera per blerje votash me euro, ushqime, dhe favore te tjera për të siguruar 10-12 mandate.

Nga ana tjetër, Prokuroria e Posaçme e njohur ndryshe si SPAK ka nisur hetimet lidhur me denocimin e bërë nga kandidati për deputet i Partisë Demokratike në Tiranë, Aldo Bumçi. Dje, ky i fundit ka publikuar pamjet ku një përfaqësuese e Partisë Socialiste shihet me vota dhe me një stilolaps në dorë. Sipas demokratëve, numëruesja shënonte mbi vota, shumicën të Partisë Demokratike, duke i nxjerrë të pavlefshme. Në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, në total u shënuan gjithsej 83015 vota të pavlefshme, një shifër rekord.

SHBA ka njohur rezultatin e zgjedhjeve. Ned Price, zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit ka përgëzuar Shqipërinë për procesin e zgjedhjeve të 25 prillit. Në një status në rrjetet sociale, Price shkruan se vazhdojnë të shpresojnë për një partneritet të ngushtë me Kryeministrin Rama dhe të përgëzojnë fushatën e fortë të opozitës. Ndër të tjera, zëdhënësi i DASH shton se respektimi i rezultateve të zgjedhjeve legjitime forcon demokracinë e Shqipërisë.

Ambasadorja amerikane, Yuri Kim ka komentuar për herë të parë procesin e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, ku fituese ka dalë Partia Socialiste. Kim falenderoi të dy liderët e partive të mëdha, Edi Rama dhe Lulzim Basha për fushatën e bërë, ndërsa shtoi se populli foli qartë.

Sa i përket shkeljeve të pretenduara gjatë procesit zgjedhor por edhe numërimi, ambasadorja Kim kërkoi që palët të presin publikimin e raportit final të OSBE, duke shtuar se duhet të përdoret për të përmirësuar votimet e radhës. Në fund, Kim ka përcjellë edhe një mesazh për të gjithë ata që kanë shkelur ligjin, duke kërkuar ndjekjen e tyre nga instancat e drejtësisë.  /News24