Rama e rënditi në pozitë jofituese, përgjigjet Majko: Nuk do bëj sehir!

Ministri i Diasporës, Pandeli Majko ka argumentuar se pozicionimi i “gardës së vjetër” të Partisë Socialiste në fundin e listave të kandidatëve për deputetë, do të thotë më shumë angazhim për të mbledhur sa më shumë vota.

I ftuar në studion e Klan News me gazetaren Mirela Milori, Majko u shpreh se pozicionimi i tij në vendin e 19 në listën e Tiranës, është një mesazh për të gjithë votuesit socialistë.

Në rast të humbjes së Partisë Socialiste dhe kalimit në opozitë, Pandeli Majko argumenton se mbështetësit e tyre do të rrezikonin vendin e punës, prandaj është aplikuar skema që kandidatët e rinj të jenë më të përfaqësuar duke u pozicionuar në krye të listës.

“Sepse atje janë dhe shumë kolegë të mi. Të gjithë kemi përcjellë mesazhin që ne nuk mund të mbledhim vota në kurriz të kolegëve tanë më të rinj. Në qoftë se Partia Socialiste do të kalojë në opozitë, atëherë ne do të jemi të rrezikuar. Dhe ky është një rrezik që ne e ndajmë me të gjithë komunitetin e njerëzve që na rrethojnë.

Nëse do ishim në vende te sigurta dhe do bënim sehir duke parë nga lart poshtë, nuk besoj se kjo do na vinte në pozitë shumë të mirë. Aktualisht të gjitha ata që janë vendosur në vijën e zjarrit kanë vetëm një mesazh për t’i dhënë gjithë njerëzve:

Ne po rrezikojmë sepse i gjithë komuniteti i votuesve tanë po rrezikon. Imagjinoni nëse PS kalon në opozitë, goditjen kryesore nuk kanë për ta marrë deputetët e Partisë Socialiste, kanë për ta marrë njerëzit të cilët për shumë arsye dhe për hiç arsye do të pushohen nga puna.

Këtë e dimë, është një histori e njohur, e shkruajtur dhe e pashkruajtur. Vetë Rama është në mesin e listës. Nëse këtë e ka bërë për veten e vetë, ne të tjerë pse duhet t’i kërkonim llogari. Rëndësi ka të fitojmë zgjedhjet dhe të jemi mburojë e njerëzve tanë”, u shpreh ndër të tjera Pandeli Majko.


Shtuar 20.03.2021 23:28