Rama e bën sërish, flirton me Bashën prag zgjedhjeve: Koalicion me LSI, kurrë!

Kryeministri Edi Rama i ka lënë rrugë një koalicioni të mundshëm me Partinë Demokratike.

Kjo taktikë e bërë dhe më parë nga kryeministri, rikthen në vëmendje marrëveshjen e 2017 me Bashën që i solli Ramës një mandat të dytë në qeverisje.

Por Kryeministri Rama i ka vënë “vizën” kategorikisht një koalicioni me LSI dhe bashkëpunimi me Tom Doshin pas zgjedhjeve të 25 Prillit.

PJESË NGA INTERVISTA: 

Rama ju kërkoni mandatin e tretë pa koalicion. Po nëse rezultati i zgjedhjeve dikton diçka tjetër, i përjashtoni koalicionet paszgjedhore, me LSI apo me PD?

Rama: Ata kanë bërë një kontratë parazgjedhore dhe pastaj janë futur në zgjedhje veç e veç. Kjo është e pandodhur, është diçka shumë domethënëse. Kontrata e tyre parazgjedhore është në fakt një kontratë që noterizon pengmarrjen e Lulit nga Monika për llogari të Ilirit dhe të Saliut.

Iliri dhe Saliu duan me çdo kusht që të garantohen që Luli nuk ju del nga duart. Monika është garantja e kësaj nevoje përmes një kontratë e cila ka edhe një pjesë të fshehtë. Në pjesën e fshehtë janë ndarë edhe detyrat dhe kapja prej fyti e Lulit është bërë shumë e strukturuar.

Por thënë kjo, Partia Socialiste nuk do ketë nevojë të kërkojë ndihmë për të formuar qeverinë sepse PS do të marrë një rezultat që nuk do të jetë asesi më i ulët sesa rezultati që mori në 2017-n. Madje do të jetë më i lartë se rezultati që mori në 2017-n, nuk ka asnjë mundësi që Partia Socialiste të bjeri nën numrin e nevojshëm për të formuar qeverinë sepse nuk ka ku bie.

Janë numra, nuk është çështje opinionesh dhe ky është një spekulim. Natyrisht që po, do të ishte shumë e rëndësishme dhe unë do të bëj gjithë përpjekjet e mia që klima e marrëdhënieve mes palëve të ndryshojë sepse nuk mund të vazhdohet kështu.

Pyetje: Po nëse do të duhej, do të anonit më shumë nga PD apo LSI?

Rama: Kjo është një pyetje që unë nuk besoj se ka dyshim. Me LSI-në asnjëherë, në asnjë rast, për asnjë arsye.

Pyetje: Nëse do ju duhej ndihmë për një mandate për të plotësuar a do të ishte Tom Doshi një aleat i juaji në këtë rast?

Rama: Jo! /albeu.com/

 

 

 


Shtuar 3.04.2021 19:50