“Rama dhe Ahmetaj kanë qenë të afërt”/ A duhet të hetohet KAYO? Erion Braçe: Nëse ka fakte të bëhet kallëzim! Procesi pas ligjit duhet të verifikohet nga institucionet

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, teksa ishte i ftuar në emisionin “Minuta e parë” në News24, ka komentuar debatin e nxehtë mbi denoncimet e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj.

Braçe pranoi publikisht se kryeministri Edi Rama dhe Arben Ahmetaj kanë qenë të afërt, ndërsa nënvizoi se për çdo pretendim mbi ndërmarrjen KAYO, apo trafikun e armëve duhet të ketë hetim nga organet ligjzbatuese nëse disponohen fakte.

Të lidhura

None found

I pyetur mbi deklaratën e Ahmetajt se e ka dashur Edi Ramën “si vëlla” dhe kërkesën e tij për falje ndaj shqiptarëve, Braçe zgjodhi të ironizojë terminologjinë, por pranoi marrëdhënien e tyre të ngushtë: “Nuk e dija që kanë qenë si vëllezër. E dija që ishin afër Rama dhe Ahmetaj, por kaq”.

Sa i përket akuzave të rënda për përdorimin e ndërmarrjes shtetërore KAYO si mburojë për trafikun e armëve nga Afrika, Braçe deklaroi se çështja kërkon verifikim nga institucionet: “Çdokush ka të drejtë të kallëzojë kur bie në dijeni të fakteve që dëshmojnë për një krim, qoftë edhe për trafik armësh. Kallëzimi është elementi kyç. Cilido që disponon këto fakte… organet ligjzbatuese, nëse e shohin se ka fakte, mund të fillojnë hetim”.

Deputeti socialist mbrojti kuadrin ligjor të vitit 2024 për krijimin e KAYO-s, duke theksuar se ndërmarrja u ngrit me ligj publik në funksion të interesave kombëtare dhe se çdo marrëveshje duhet të kalojë nga Ministri i Mbrojtjes dhe Këshilli i Ministrave. I pyetur për armët e pretenduara se vijnë nga Afrika e ripaketohen në Shqipëri, Braçe u përpoq të zbusë terminologjinë:

“Nëse vijnë nga Afrika armë dhe shiten nga këtu, nuk është trafik armësh në konceptin tim. Trafiku i armëve lidhet me vende në konflikt ku shitja ka qenë e ndaluar me rezoluta të OKB-së. Sidoqoftë, procesi pas-legjislativ duhet verifikuar pa diskutim nga komisionet parlamentare dhe KLSH”.


Shtuar 8.09.2026 15:13