Rama: Bashkimi me BE-në çështje ekzistenciale, më 11 maj Shqipërisë i duhet fitorja

Ditën e sotme, kryeministri Edi Rama, ka vijuar edhe me serinë e tij të lidhjeve direkte “Sy m’sy”, ku ka diskutuar dhe u përgjigjur komentuesve në rrjetet sociale.

Gjatë kësaj lidhjeje, ai theksoi se vota e 11 majit është një “votë gjeopolitike” dhe ka një rëndësi të jashtëzakonshme për të ardhmen e Shqipërisë.

Sipas Ramës, integrimi në Bashkimin Europian është një çështje ekzistenciale për vendin, dhe në një kohë kur Europa dhe bota ndodhen përpara situatash komplekse, Shqipëria nuk mund të qëndrojë pas.

Ai e lidh këtë proces me historinë dhe trashëgiminë kombëtare, duke kujtuar periudha si ajo e Skënderbeut dhe Rilindasve.

Duhet të jemi në BE ashtu siç donin të parët tanë”, u shpreh Rama, duke bërë thirrje që ata që kanë të drejtën të votojnë më 11 maj, të bëjnë një zgjedhje që do të sjellë përfitime për Shqipërinë dhe qytetarët e saj.

Më 11 maj është një votë gjeopolitike. Nëse shihni në çfarë situate komplekse është Europa dhe bota, bashkimi me BE-në është çështje ekzistenciale, nuk mund të rrimë veç, nuk mund të jemi delja që e ha ujku. Duhet të jemi në BE ashtu siç donin të parët tanë.

Në kohën e Skëndërbeut nuk kishte BE por kishte Europë, dhe ai i vuri gjoksin dhe e mbrojti, edhe në kohën e Rilindasve nuk kishte, por Naim Frashëri tha dielli lind atje ku perëndon. Sot integrimi është ekzistencial. Kush ka të drejtën të votojë më 11 maj duhet të votojë për Shqipërinë në BE, ka shumë arsye për ta bërë këtë gjë, arsye patriotike dhe personale”, tha ai.


Shtuar 20.03.2025 08:56

Tags: , ,