Rama: “Ballkani i Hapur”, ideja e duhur në kohën e duhur

Kryeministri Edi Rama ka qenë mbrëmjen e sotme i pranishëm në ceremomin e përvjetorit të Fondacioni Gjerman në Shqipëri “Friedrich Ebert”.

Gjatë fjalës së tij, shefi i qeverisë ka folur për integrimin në BE, ku u shpreh se pavarësisht se çfarë vendimesh merren në Bruksel, duhet të vazhdojmë të bëjmë edhe më shumë se kemi bërë.

Rama gjithashtu u ndal te “Ballkani i Hapur” ku tha se, është ideja e duhur në kohën e duhur.

“Dëshiroj ta them, që për ne kjo ka qenë një periudhë në një farë mënyrë maturimi dhe kuptimi më i drejtë dhe më i plotë i këtij procesi dhe i vetë natyrës kontradiktore dhe të paparashikueshme të procesit. Është e qartë me këtë shpërthimin e papritur së fundmi të problemit të Bullgarisë. Ky është një proces ku nuk duhet ta humbim fokusin nga fakti që jemi në këtë proces jo se na e kanë imponuar të tjerët, por që e ka zgjedhur populli vetë për t’u bërë pjesë me të drejta të plota e familjes së bashkuar europiane.

Duke mbajtur këtë parasysh duhet të vazhdojmë të bëjmë edhe më shumë se kemi bërë. Të bëjmë më shumë se bëmë dje, pavarësisht se çfarë vendimesh merren në Bruksel, apo stër-stër kushtesh shfaqen deri në Bullgari. Këto janë të ndara me njëra tjetrën. Kjo është zgjedhja jonë dhe detyrimi ynë. Ky është borxhi ynë ndaj fëmijëve tanë dhe gjeneratave të tjera. Pavarësisht se çfarë statusi kemi. Nëse quhemi kandidat. Nuk e di si quhemi tani sepse u bë disa vite që jemi kandidat. Dhëndër në tentativë të familje europiane. Këto momente që na japin status të ndryshëm në këtë proces nuk varen nga ne por nga ajo që vendoset nga 27 vende.

Është një vendimmarrje që asnjëherë nuk mund të parashikohet deri në fund. Kujt i shkonte mendja që do dilte Bullgaria. Ne kishim bindjen që Holanda do çlirohej nga stresi në raport me uljen në tavolinë me Shqipërinë, shkon del Bullgaria. Askush nuk mund ta parashikojë se nuk do dalë një tjetër. Bullgaria deri para ca kohësh ishte 100 % dakord. Do bëjmë maksimumin për të përfituar. Procesi i integrimit është proces transferimi dijesh, për të pasur një vëmendje në funksion të kritikës për mënyrën si ecin gjërat. Dëgjova lidhur me Ballkanin e Hapur.

Jam i bindur dhe nuk e vë në dyshim që Ballkani i Hapur është ideja e duhur në kohën e duhur. Të gjithë do e përqafojnë hap pas hapi, Nuk kemi kohë për të humbur. Duhet të hapemi plotësisht me njëri tjetrin për të krijuar një shëmbëlltyrë e asaj që duam të jemi. Kështu fitojmë kohë nga e ardhmja., Ballkanin e Hapur do e bëjmë dhe nuk do kemi asnjë rrugë tjetër kur të hyjmë në BE. Duke e bërë sot dhe duke e bërë me bindje, ne jo vetëm që ndërtojmë një hapësirë funksionale të katër lirive të BE. por i japim vetes mundësinë për të rritur ekonominë tonë. Asnjë vend nuk e ka luksin të merret me politikën në plan të parë për arsye politike të brendshme”, u shpreh Rama./albeu.com


Shtuar 21.10.2021 19:37