Raketa ruse godet një anije mallrash qipriote, vritet kapiteni

Një raketë ruse goditi anijen e ngarkesave “KMAX RULER” të Qipros në pronësi të pronarit  greko-qipriot Andreas Hatzigiannis, president i Unionit të Pronarëve të Qipros.

Sulmi ndodhi kur anija hyri në portin e Odessa dhe si pasojë kapiteni u vra ndërsa tre anëtarë të tjerë të ekuipazhit u plagosën.

Gjithashu i plagosur mbeti edhe një oficer i rojës bregdetare, siç njoftoi një përfaqësues i forcave të armatosura të Ukrainës.

Sipas informacioneve nga autoritetet ukrainase, anija është goditur nga një raketë Kh-31P e lëshuar nga një avion luftarak rus.

Kombësia e kapitenit nuk bëhet e ditur, ndërsa tre anëtarët e ekuipazhit të plagosur janë filipinas.

Anija do të ngarkonte mineral hekuri me destinacion Kinën, sipas ministrit ukrainas të Infrastrukturës Oleksandr Kubrakov, i cili tha se që kur Rusia u tërhoq nga marrëveshja për eksportet e grurit përmes Detit të Zi, ka pasur 21 sulme ruse në infrastrukturën portuale të Ukrainës.

Anija është ndërtuar në vitin 2009, ka një gjatësi 230 metra dhe gjerësi 37 metra, ka një kapacitet 91,800 dwt dhe mban numrin IMO 9436642.

/albeu.com


Shtuar 9.11.2023 12:26