Qytetari konfliktohet me shpërndarësin e picave: Më tha ik mos më çaj tra*in

Disa njerëz janë aq të ngarkuar nga situata e pandemisë saqë kërkojnë vetëm qetësi. Po qe se dikush bën zhurmë, atëherë ai person do t’i ketë me siguri punët pisk.

Me një moment të tillë të vështirë është përballur një motorist, i cili personalisht është natyrë e qetë, por që një ngatërresë me një qytetar e shtyu atë jo vetëm t’ia mbathë me të katra, por të telefonojë policinë për një burrë të çuditshëm që trazohej nga zhurma e motomjetit dhe që e pengonte atë të shpërndante pica. Siç u kuptua më pas nga ballafaqimi policor, të gjitha fajet i kishte motori që drejtonte i kërcënuari dhe fakti që kanosësi nuk shikonte mirë nga sytë dhe ngatërroi telefonin e motoristit me një thikë.

Dhe kjo më pas ka sjellë një ngjarje që është kthyer në objekt të hetimit policor për veprën e kanosjes, duke qenë se qytetari nga njëra anë dhe motoristi nga ana tjetër u frikësuan nga sjellja e njëri-tjetrit.

Ngjarja ndodhi në rrugën “Kajo Karafili”, raporton për Gazetën “Si” një burim pranë komisaritatit numër 3, në kryeqytet. Qytetari me inicialet L.D., 21 vjeç, bëhet me dije nga burimet policore, punon motorist pranë një biznesi që shpërndan pica që porositen me telefon. “Kontaktova me klientin që nga zëri ishte grua dhe më tregoi se ku gjendej dhe ku duhej ta dorëzoja picën tek Rruga e Kavajës. Me të mbërritur në adresën e mësipërme, një person doli nga një kabinë dhe më pyeti “ku po shkon?”.

I riu shton para policisë se i tregoi të panjohurit që po dorëzonte një picë që ia kishin kërkuar.

“Më tha “largohu”, bërtiti. Iu përgjigja nuk kisha si ikja pa dorëzuar picën dhe ndërkohë mora telefonin të njoftoja klienten. Zotëria i sipërcituar hyri në kabinë dhe doli me një send në dukje shkop bejsbolli dhe po afrohej duke më kanosur dhe kërcënuar për jetën”, tregon i riu që i trembur ka njoftuar me urgjencë policinë duke i kërkuar ndihmë.

“Kur po afrohej bërtiste dhe më thoshte, “ti që vjen këtu dhe bën zhurmë me motor”. Nuk më goditi por shkopin vazhdonte ta mbante në dorë”, shton i riu L.D.
Policia konfirmon se mbasi mbërriti dhe i gjeti dy kanosësit në distancë, shoqëroi shtetasin D.B, një 51-vjeçar që ka pranuar shqetësimin që i shkaktoi zhurma e motorit.

“Mbërriti një motorist me picë, targën e të cilit nuk e kam fiksuar. Ky motor bënte shumë zhurmë dhe shqetësoi jo vetëm mua por edhe banorët. I kërkova llogari, por ai më tha “ik mos më çaj t… Në atë moment kur ai u përgjigj, futi dorën në xhep dhe mua më ngjau se do nxirrte një thikë. Ndaj me vrap shkova dhe mora shkopin e bejsbollit që e mbaj dhe e ruaj për vetëmbrojtje në rast se ndodh ndonjë sherr. I riu, pas këtij veprimi kishte ndezur motorin dhe ishte larguar, kurse unë u ktheva”, shton i kallëzuari.

Policia shton për Gazetën “Si” se pasi mori dëshminë e të dyve dhe konstatoi se ata nuk ishin goditur fizikisht dhe pasi iu bind që në të vërtetë i riu nuk kishte pasur një thikë, por kishte marrë telefonin, i la të lirë të dy shtetasit. Sidoqoftë 51-vjeçari që u shqetësua nga zhurma e motorit, nuk do t’i shpëtojë hetimit, pasi siç thonë oficerët e komisariatit 3, do ta hetohet për kanosje për jetën. /gazeta Si


Shtuar 14.03.2021 13:31