Qeveria mori vetëm 21 % të socialistëve, kush janë ministrat më të votuar që s’u bënë deputetë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar dje edhe numërimin e votave preferenciale të kandidatëve.

Ndërkohë, votat preferenciale na krijojnë një panoramë të qartë edhe për rezultatet individuale të ministrave dhe Kryeministrit. Sipas një përllogaritje të numrit të votave, konstatojmë se kabineti qeverisës nuk justifikon postet e tyre.

Në zgjedhjet e 25 prillit Partia Socialiste ka siguruar në kutitë e votimit 768 250 vota, duke krijuar maxhorancën e vetme, me 74 mandate. Ndërkohë, qeveria e drejtuar nga Kryeministri Rama, së bashku me zëvendëskryeministrin, përbëhet nga 17 anëtarë. Në këto zgjedhje ministrja e Kulturës, Elva Margariti, nuk ishte kandidate. Pra, në garë patëm 16 anëtarë të qeverisë.

Ndërkohë, nëse llogarisim numrin e votave të Kryeministrit Rama që kandidoi në dy qarqe dhe të 15 anëtarëve të tjerë të qeverisë, rezulton që të kenë marrë në total 162 524 vota dhe e përllogaritur në përqindje, 21.1%. Partia Socialiste ka një mesatare votash pak më shumë se 10 mijë për një deputet.

Dhe nga përllogaritjet, nëse 768 250 vota kanë prodhuar 74 vende në Parlament, votat e siguruar nga 16 anëtarët e qeverisë kanë prodhuar 15 mandate, pra një mandat më pak se sa është numri i anëtarëve në qeveri, duke mos marrë parasysh se kreu i qeverisë, Edi Rama, ka kandiduar në dy qarqe dhe ka marrë dy herë vota preferenciale.

Megjithatë, brenda kabinetit qeverisës jo të gjithë ministrat kanë performuar njësoj.

Ne analizen e rezultatit me votat preferenciale të Kryeministrit Rama, zëvendëskryeministrit dhe të gjithë ministrave në qarqet ku ata kandidonin,  rezulton se ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ka siguruar rezultatin më të mirë në këto zgjedhje.

Ai ishte renditur i treti në listën e PS-së në qarkun e Gjirokastrës. Në këtë qark Partia Socialiste siguroi 24 604 vota, nga këto thuajse gjysmën e mori Bledi Çuçi në emrin e tij personal.

Sipas KQZ-së, kur kishin mbaruar së numëruari të gjitha kutitë në qarkun e Gjirokastrës, ministri i Brendshëm numëronte në emrin e tij 11 932 vota, e përkthyer në përqindje në 48.4%.

Ndërkohë, ministri i dytë me rezultatin më të mirë figuron ministri i Turizmit, Blendi Klosi, i cili kandidoi në qarkun e Beratit. Klosi ishte renditur i pesti në Berat.

Në këtë qark Partia Socialiste ka marrë 42 355 vota, nga të cilat 12 339 vota ishin në emër të ministrit Blendi Klosi, ose e përkthyer në përqindje, 29.1%.

Ndërkohë i treti renditet Kryeministri Edi Rama. Kreu i qeverisë kandidoi në dy qarqe, në Vlorë dhe në qarkun e Durrësit.

Në Vlorë Partia Socialiste mori 59 023 vota, nga të cilat 11412 vota i mori Edi Rama, ose e thënë ndryshe, 19.3% të votave.

Ndërsa në qarkun e Durrësit PS mori në total 76 924, nga të cilat Edi Rama mori gjithsej 15 871 vota, ose e thënë ndryshe, 20.6% të votave. Kujtojmë që Kryeministri Rama gjatë fushatës deklaroi se do të bëhej deputet i qarkut ku do të merrte më shumë vota.

Nga përllogaritja, në Vlorë Rama ka marrë 19.3% të votave, ndërsa në Durrës ka marrë 20.6% të totalit të votave që ka marrë PS-ja në Durrës.

Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi, rezulton si anëtari i kabinetit me rezultatin më të dobët në zgjedhjet e 25 prillit.

Ai ishte renditur i 18- ti në listën e qarkut të Tiranës, ku nga 226 842 vota që mori PS-ja në total, Shalsi mori vetëm 4601 vota, ose ndryshe, 2%.

E parafundit renditej ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Ajo mori vetëm 3.2% të votave në qarkun e Tiranës.

Ndërkohë Pandeli Majko, edhe pse me rezultate më të mira se dy ministrat e mësipërm, mbeti jashtë listës fituese. /Mariglen Kume/


Shtuar 1.05.2021 15:56