Putini kritikon Perëndimin, por thotë se Rusia është e hapur për dialog

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka kritikuar Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe Aleancën Veri-Atlantike mbi situatën në territoret e kontrolluara nga separatistët e mbështetur nga Moska në lindje të Ukrainës, por tha se shteti i tij është i gatshëm për “kontakte dhe dialog”.

Gjatë një fjalimi para zyrtarëve të Ministrisë së Jashtme në Moskë më 18 nëntor, Putin tha se bisedimet e tij me presidentin amerikan, Joe Biden më 16 qershor kishin ofruar “disa mundësi për një dialog dhe për nivelimin dhe korrigjimin gradual të marrëdhënieve”.

“Aktivitetet e përbashkëta (me Uashingtonin) mbi stabilitetin strategjik dhe sigurinë e informacionit kanë nisur”, tha Putin duke shtuar se edhe pse “në disa çështje, interesat tona, parashikimet tona dhe pozicionet tona dallojnë në mënyrë dramatike”.

Putini kritikoi Qeverinë ukrainase për refuzimin e saj që të pranojë bisedime të drejtpërdrejta me separatistët e mbështetur nga Rusia, të cilët që nga prilli i vitit kanë kontrolluar disa pjesë të rajoneve lindore të Ukrainës, Donesk dhe Luhansk, që njihen si Donbas.

Moska ka akuzuar Ukrainën për shkelje të Marrëveshjes së Minskut që kishte për qëllim t’i japë fund luftës që ka vrarë më shumë se 13,200 persona prej se kur filloi në prill të vitit 2014.

“Në fakt, Perëndimi u ka mundësuar autoriteteve të Kievit që të anulojnë Marrëveshjen e Minskut, që çon procesin nga zgjidhja e konfliktit në një qorrsokak. Duhet të kihet parasysh se partnerët perëndimorë po e përkeqësojnë situatën (në Donbas) duke furnizuar Kievin me armë moderne vdekjeprurëse dhe duke mbajtur stërvitje ushtarake, provokuese në Detin e Zi dhe në rajone të tjera pranë kufijve tanë”, tha Putin.

Ai theksoi se Moska do t’i përgjigjet “në mënyrë adekuate” përpjekjeve të NATO-s për të shtrirë infrastrukturën ushtarake në shtetet në afërsi të Rusisë.

Në shtator, Kremlini paralajmëroi se nëse NATO-ja zgjeron infrastrukturën e saj ushtarake në Ukrainë, kjo do të nënkuptonte shkeljen e një vije të kuqe.

“Ne vazhdimisht shprehim shqetësimet tona për këtë, duke folur për vijat e kuqe, por ne e kuptojmë se partnerët tanë – dhe si ta them më butë – kanë një qëndrim shumë sipërfaqësor ndaj të gjitha paralajmërimeve tona dhe flasin për vijat e kuqe”, tha Putin.

Putini gjithashtu u ankua se avionët bombardues të Perëndimit, që kanë kapacitet të bartin “armë mjaft serioze”, po fluturojnë 20 kilometra larg kufirit të Rusisë.

“Bashkimi Evropian vazhdon të na vendos sanksione, vazhdon të bëjë veprime jomiqësore dhe akuza të pabaza”, tha Putin duke shtuar se mundësitë për bisedime me Bashkimin Evropian janë “venitur” pikërisht për shkak të kësaj situate.

Perëndimi ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë më 2014 dhe për mbështetjen e separatistëve në Donbas.

Rusia u ka ofruar mbështetje ushtarake, politike dhe ekonomike separatistëve. Pavarësisht provave të shumta, Moska mban qëndrimin se nuk është e përfshirë në çështjet e brendshme të Ukrainës./REL


Shtuar 18.11.2021 21:05