“Pushtetet janë në një dorë”, Ilir Alimehmeti: Në qoftë se fitoj qytetarët do të jenë kryefjala e çdo modeli

Ilir Alimehmeti ishte një nga 7 kandidatët e ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan të cilët garojnë në primaret e Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës. Ai ka folur për planet e tij në rast se fiton, duke u shprehur se kryefjala duhet të mbeten qytetarët.

Më tej i pyetur se si do të funksionojë bashkëpunimi mes opozitës dhe mazhorancës, në rast se Bashkinë e Tiranës e fiton Partia Demokratike ndërkohë që në qeveri është Partia Socialiste, Alimehmeti është përgjigjur se qytetarët e vendosin se kë model duan.

Ilir Alimehmeti: Një element është mosmarrëveshja historike, ka ndodhur dhe vazhdon të ndodh. Pyetja e madhe është çfarë duan qytetarët, sepse biem dakord të dy bashkë, në kurriz të qytetarëve është kjo brengë. Qytetarët tanë çfarë modeli duan? Duan një model që të kemi dy përplasje, apo që të kemi një model në favor të tyre. Po e tregojnë qartë, duke ikur jashtë shtetit. Kërkojnë një model, ku të jetë një fokus dhe një kryefjalë mbi qytetarët. Kjo është pyetja e parë, se çfarë duan votuesit. Elementi i dytë. Nuk duhet të keqkuptojmë diçka. Kemi pasur dhe e kemi sot që flasim edhe qeverinë edhe të gjitha bashkitë, në një dorë. Pra supozohet se mosmarrëveshje nuk ka. A shkoi kjo drejt qytetarëve apo shkoi drejt abuzimit më të rëndë të tyre. Drejt faktit që askush nuk të përgjigjet, askush nuk e ndien nevojën për transparencë. A na u përmirësuan ne shërbimet? A na u përmirësua cilësia e jetës? Nëse do ishte po, atëherë qenkemi shumë mirë kështu. Përgjigja është jo, po shkojmë keq, pikërisht sepse janë të gjitha në një dorë. Ne e kemi shumë të qartë është parimi kyç i demokracisë, duhet të kemi ndryshime mendimesh dhe këto mendime duhet të jenë konstruktive dhe jo destruktive. Element kyç ky, në fund fare kryefjala është qytetari./tvklan


Shtuar 2.12.2022 09:04