Shqipëria vitin e fundit është përballur me një mungesë të theksuar të fuqisë punëtore. Shkaku kryesor është largimi i të rinjve jashtë vendit. Por ku humbën punëtorët shqiptarë?
Për të diskutuar rreth kësaj teme ishin të ftuar në emisionin “Bardh a Zi”, në Abc me gazetarët Ornela Gaçe dhe Erion Kristo ishin sipërmarrësi Gjergji Gjika, deputeti i PS-së Etjen Xhafaj dhe politologu Endri Shabani.
Për sipërmarrësin Gjika Shqipëria është bërë një vend i pabanueshëm, ndërsa për deputetin Xhafaj, puëntorët janë ende aty.
Pjesë nga biseda:
Xhafaj: Nuk kanë humbur, janë ende aty. Po përpiqemi të gjithë që potencialin zhvillimor që kanë mundësi të sjellin t’ia vëmë në dispozicion ekonomisë.
Gjika: Ne vazhdojmë jetojmë një realitet absurd. I kemi dhënë autobusin dhe shtetin njërit që s’ka patentë. Ka thënë më jepni timonin dhe s’kam patentë. Tani po vuajmë pasojat. Ka dalë nga rruga ky autobus.
Shabani: Që në fillimet e organizimit shoqëror anëtarët e një tribuje iknin kur drejtuesit e tribusë i keqtrajtonin. Fakti që njerëzit ikin nuk ka nevojë të jetë domosdoshmërisht një plan por një pasojë e një keqmenaxhimi.
Por pse jemi në këtë situatë?
Xhafaj: Nuk besoj se jemi në këtë derexhe. Ne kemi pasur një diversifikim si të produktit ashtu dhe të industrive. Rrjedhimisht është një përplasje mes pritshmërive të njerëzve nga karriera, kërkesave specifike të bizneseve për ato paga që paguajnë. Rrjedhimisht edhe shembulli i ekonomive më të zhvilluara se Shqipëria, që nuk kanë 32 vite që paguajnë taksa, por 500 vite. Kjo është gara në të cilën Shqipëria e gjen sot veten. Në vija të trasha duhet të kemi një rakordim shumë më të mirë me institucionet publike dhe biznesin.
Shabai: Xhafaj thotë se ky është një problem që ndodh në gjithë botën. Kam studiuar lëvizjen e të rinjve. Mesatarisht 1.1-5 % e të rinjve evropianë lëvizin jashtë. Në Shqipëri nga 14 deri në 25% e studentëve ikin jashtë çdo vit. Këtu nuk po flasim për lëvizje kulturore. Pse ikin të rinjtë? Për shkak të punësimit. Ikin kur bëjnë fëmijë. Në shkolla fëmijët ngrohen me batanije. Problemi që ne kemi është largimi i shqiptarëve dhe kur nuk duan të ikin.
Gjika: E vërteta numër një sot nuk është punë lekësh. Shqipëria është kthyer në një vend të pabanueshëm sot. Zgjedhin bodrumin e Gjermanisë dhe gomonen e La Manshit vetëm që mos rrinë në Shqipëri./Abcnews.al/