Në 30 Maj 2020 u ekzekutuan në Kurbin Bujar Lika dhe Paulin Gjergji. Eduart Lamaj i arrestuar për vrasjen e dyfishtë është dënuar me burg përjetë dhe dy të tjerë, bashkëpunëtorë të tij janë shpallur në kërkim dhe ende nuk janë arrestuar.
Autori tha se ngatërroi shënjestër. Por pista e parë që doli në media asokohe ishte lidhja, miqësia e biznesmenit Bujar Lika me Ervis Martinajn.
Nuk u përjashtua pista që vrasja e mikut të Ervis Martianjt ishte me pagesë. Por Eduart Lamaj e hedh poshtë. Ai tregon lidhjet me Ervis Martianjn dhe versionin e tij të ngjarjes.
“Nuk është e mundur fare. Unë Ervisin e kam njohur si qytetar të Laçit, sikur e njeh gjysma e Laçit, pasi ka ndenjur dhe ka qëndruar në Laç. Nuk kam pasur asnjëherë konflikte as me Ervisin, as familjen dhe as shokët e tij.
As me Bujar Likën nuk kam pasur konflikt. Një javë parë ishte te lokali i Ervis Martinajt, te “Arbëria” i kam përshëndetur, më kanë përshëndetur. Nuk kam pasur fare lidhje.
Komunikime, lidhje të ngushtë nuk kemi pasur, por njohje. Unë i kam çuar haber, i kam bërë be familjes, t’i laj në çdo mënyrë dhe nuk më kanë pranuar” tha ai te “Uniko”.
Po a ka pasur kontakt me Ervis Martinajn pas ngjarjes që i vrau mikun? “I kemi çuar fjalë, deri diku e kanë pranuar fjalën, por jo benë, që doja të bëja. Unë kërkoja që ta dinin dy familjet që nuk kam shkuar për atë punë atje, për të vrarë ata të dy” tha ai.