Pse duhet të vaksinohemi kundër Covid-19? Mjeku kardiolog jep shpjegimet: Lehtëson simptomat!

Nëse ka një gjë të sigurt që mund të thuhet për vaksinat anti-COVID, është fakti që ato ndihmojnë në lehtësimin e simptomave të COVID-19. Çka do të thotë që edhe nëse bini në kontakt me virusin pasi jeni vaksinuar, dozat e injektuara do t’ju ndihmojnë ta kaloni sa më lehtë sëmundjen.

Ndërsa i konsideron spekulime lajmet se përmes vaksinimit të detyruar cenohen liritë e të drejtat e njeriut, mjeku kardiolog Leonidha Peppo apelon që të kryhet vaksinimi si e vetmja mburojë ndaj sëmundjes vdekjeprurëse.

“Është dëgjuar dhe thënë se vaksinimi anti-Covid është me dëshirë, se gjoja preken liritë individuale dhe të drejtat e njeriut. Këto janë spekulime dhe çudira që do të rëndojnë mbi të pavaksinuarit, të fëmijëve e familjarëve të tyre apo shoqërisë rreth tyre.

Nëse personi i pavaksinuar ia ngjit këtë sëmundje vdekjeprurëse dhe invalidizuese, pa diskutim kriminale, ç’duhet bërë atëherë? Duhet të merret penalisht që jo vetëm i prek të drejtën për të jetuar dhe ta dënojë edhe shoqërisht. Thënie të tilla se vendosin çip në trup për të kontrolluar personalitetin, janë vetëm humoristike dhe çuditëse. Po gjithë bota njerëzore që i kërkon me ngulm vaksinat edhe vaksinimin si e vetmja mënyrë për të mos u infektuar nga COVID19 ose ta kalosh më lehtë atë?!”, vë në dukje doktori, i cili ndalet edhe te pasojat që sëmundja sjell në trupin e njeriut.

LEONIDHA PEPPO

Çfarë u paraqit pas kalimit të sëmundjes së COVID-19 në individë të ndryshëm, duke përfshirë edhe miqtë e pacientët e mi, duke pasuar edhe vetë mua. Me këtë shkrim do të trajtohen edhe ata që vaksinohen. Çfarë ndodh në të tilla raste? Kur duhet vaksinuar pas kalimit të COVID-19 dhe, më e rëndësishmja, a duhet të vaksinohen, sepse ka mendime subjektive dhe objektive për perspektivën e afërt dhe të largët që mund të ndodhë te këta persona.

Duhet t’ju bëj të ditur që këto përfundime janë pas leximeve të shumta të publikimeve të studimeve ndërkombëtare të agjencive serioze studimore e eksperimentale, të sigurta deri tani. Ata që ndjekin përfundimet serioze, e kuptojnë që shumë koncepte ndryshojnë, po ashtu masat dhe kujdesi ndaj individëve dhe popullsisë në përgjithësi kanë tregues dhe mundësi më të përparuara që mbeten për t’u parë sepse prapë pritet të ketë zhvillime.

Por këtë shkrim do të mundohem të shkruaj ato dukuri të para deri tani te personat që kanë kaluar COVID-19, nga përvoja personale të përditshmërive të shumta në Qendrën Shëndetësore Nr.4, duke reflektuar edhe në qëndrimin tonë të personelit mjekësor.

Dukuritë më të shpeshta janë lëvizja e tensionit arterial në shifra dukshëm me të rritura se ato të zakonshmet në individë pa mjekim ose me mjekim, por këto të shoqëruara me ankesat e zakonshme, por që i shtohet edhe ana emocionale, e cila nga ana e saj është shkaktare e çlirimit të katekolaminave që rrisin tensionin e gjakut dhe rrahjet e zemrës, gjithashtu (përdorimi i kortizonikëve në mjekim) përgjegjëse për rritjen e shifrave te sheqerit në gjak. Të gjithë mjekët e familjes në klinikën tonë thonë që janë shtuar në mënyrë të dukshme rastet me sëmundjen e diabetit ose ata që e kanë diagnozën e diabetit I, është rënduar sëmundja duke marrë barna shtesë për kurimin e saj. Duhet theksuar se në rastet tona, kjo gjendje ka ardhur me origjinë pas 2-3 muajsh duke hequr edhe mjekimet e shtuara. Pra, është fakt tepër pozitiv për ecurinë e ndjekjes së tyre për ata vetë, por edhe për mjekimin shërues të caktuar. Ndikimi i COVID-19 është shfaqur edhe në ndryshime të sjelljes së atyre që e kanë kaluar këtë sëmundje. Kjo dukuri është më e paktë se sëmundjet e tjera. Mendohet se sëmundja gjeneron mikrotrombule në vazat që furnizojnë trurin duke degjeneruar në dëmtim të qelizave të tij, por këto mendime me kalimin e kohës mund të ndryshojnë siç edhe kanë ndodhur gjatë këtyre muajve dhe viteve.

Të shohim.

Por në kabinetin e kardiologjisë janë konstatuar dhe vërtetuar me vizitë klinike e aparatura, fenomene të aritmive të ndryshme, të marrjes së frymës nga komplikacionet që shkakton virusi mbi zemrën, siç është zmadhimi i zemrës të shoqëruara ose me likid (lëng) në cipat e zemrës. Kjo ndodh me të gjitha llojet e viruseve, por që ky që ka dalë së fundmi është më agresiv. Me kontrollet e vazhdueshme të zemrës, është zvogëluar deri në kufij normalë edhe likidi (lëngu), është tharë aty ku ka pasur, kjo pasohet me gjendje klinike të përmirësuar të pacientit. Kjo na ngarkoi me optimizëm për të ardhmen shëndetësore të këtyre të sëmurëve dhe shpresën që mundimet e mjekëve të jenë të suksesshme.

Kemi edhe shfaqje të trombozave të vazave të mëdha si në tru, ne zemër, në mushkri, gjymtyrë dhe lëkurë që kërkojnë mjekim shtesë dhe rrezikojnë jetën apo invalidizojnë njeriun, që ka pasoja psikologjike, financiare, kohore me atë vetë dhe familjen e shoqërinë. Prandaj, ju lutemi, vaksinohuni me gjithë mundësitë që tani i kemi të mëdha. Po përshkruaj në fund fenomenet madhore të prekjes së mushkërive, sëmundja më e rëndë e prekjes nga koronavirusi, shfaqjet e shenjave të shumëllojshme me rëndesa të ndryshme nga më e lehta e deri tek e rënda, e humbje jete edhe në mes personelit mjekësor dhe shëndetësor.

Më të dukshme kanë qenë prekja e mushkërive në drejtim të fibrozës apo pneumonia me prekje të cipave të tyre, me grumbullim likuidi me ulje të ngopjes me O2 dhe rritje të rrahjeve të zemrës. Mjekimi i tyre i vështirë, shpeshherë i tepruar dhe i panevojshëm, duke dëmtuar shëndetin dhe financat familjare. Oksigjenoterapia është kryesore në mjekimin e patologjive të mushkërive. Duhet theksuar se komplikacioni kryesor është tromboza e vazave pulmonare me shenjat e njohura dhe të shkruara gjerësisht. Analizat e gjakut të ndryshuara siç është D-dimeri mbi normë, monocitet e larta, limfocitet e ulura, O2 i ulur në gjak, me mjekim të shtuar të përshkruar me kujdes dhe ndjekje mjekësore nga personel të specializuar.

Prandaj, për të mos arritur në këtë gjendje, duhet të vaksinohen të gjithë me detyrim. Është dëgjuar dhe thënë se vaksinimi anti-Covid është me dëshirë, se gjoja preken liritë individuale dhe të drejtat e njeriut. Këto janë spekulime dhe çudira që do të bjenë mbi të pavaksinuarit, të fëmijëve e familjarëve të tyre apo shoqërisë rreth tyre. Nëse personi i pavaksinuar ia ngjit këtë sëmundje vdekjeprurëse dhe invalidizuese pa diskutim kriminale, ç’duhet bërë atëherë? Duhet të merret penalisht që jo vetëm i prek të drejtën për të jetuar dhe ta dënojë edhe shoqërisht.

Thënie të tilla se vendosin çip në trup për të kontrolluar personalitetin, janë vetëm humoristike dhe çuditëse. Po gjithë bota njerëzore që i kërkon me ngulm vaksinat edhe vaksinimin si e vetmja mënyrë për të mos u infektuar nga COVID-19 ose ta kalosh më lehtë atë?! Gjithsesi, nuk është absolutisht e sigurt mbrojtja. Rastet e reja me variantin DELTA, sipas prof. Silva BINO, 2-3 %, infektohen të vaksinuarit me 2 doza dhe 10% ata me 1 dozë të saj. Këto të dhëna të thëna deri tani janë ndërkombëtare. Të presim çfarë të rejash do të kemi në të ardhmen. Por e sigurt është që vaksinimi duhet bërë. /panorama

 


Shtuar 23.08.2021 14:07