PS padit listën me 222 kandidatë për deputetë të PD në zgjedhjet e 25 prillit

Partia Socialiste ka paditur në Kolegjin Zgjedhor vendimin për lejimin e listës me 222 kandidatë për deputetë të Partisë Demokratike.

Në zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit, koalicioni i drejtuar nga PD do prezantohet me 222 kandidatë për deputetë.

Pak ditë më parë, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve mbështeti kërkesën e PD-së, e cila kundërshtonte vendimin e komisionerit shtetëror të zgjedhjeve që reduktoi listën e kandidatëve për deputetë nga 222 të propozuar, në 153.

Vendimi i marrë më parë

Komisioni Ankimimeve dhe Sanksioneve shqyrtoi Kerkesen Ankimore nr. 05, të depozituar nga subjekti zgjedhor PD-Aleanca për Ndryshim, me objekt “Kundërshtimin e vendimit nr. 156, datë 17.03.2021 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve “Për shqyrtimin e kërkesës për regjistrimin e listave shumemërore të koalicionit PD-Aleanca Për Ndryshim, për zgjedhjet për Kuvend të datës 25 prill 2021”.

Në përfundim të shqyrtimit, KAS vendosi pranimin e kërkesës së koalicionit PD-Aleanca për Ndryshim dhe ndryshimin e vendimit nr. 156, datë 17.03.2021 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve “Për shqyrtimin e kërkesës për regjistrimin e listave shumemërore të koalicionit PD-Aleanca Për Ndryshim, për zgjedhjet për Kuvend të datës 25 prill 2021”.

Komisioni Ankimimeve dhe Sanksioneve vendosi regjistrimin e listave shumemërore të koalicionit PD-Aleanca për Ndryshim, sipas listës së depozituar në datën 16 mars 2021 pranë KQZ-së.


Shtuar 25.03.2021 14:44

Tags: ,