Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet më 9 qershor, ora 10:00, për të votuar shkarkimin e presidentit të Republikës, Ilir Meta.
Seanca plenare do të ketë në fokus votimin e raportit që u përmbyll të premten nga Komisioni Hetimor i ngritur për shkarkimin e Metës. Në pritje të kësaj seance, ka folur për mediat, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla.
Duke u shprehur i sigurt për shkarkimin e Metës, Balla ka hapur sërish derën e bashkëpunimit me PD, duke deklaruar hapur se emri i ri për President mund të vijë edhe nga opozita.
“Procedura për zgjedhjet e presidentit të ri do kërkojë kohën e vet, dhe pse jo të jetë pjesë e një pakete bashkëpunimi me opozitën e re, që do të rikthehet në Kuvend më 9 shtator…”- tha ndër të tjera Balla.
Pjesë nga fjala e Ballës:
Kryetari Rama ka qenë shumë i qartë. Ajo që është e nevojshme dhe që duhet të kuptojmë është se PS nuk e ka nisur procedurën e shkarkimit të Presidentit aktual si nevojë për të pasur një përfaqësues të vetin në institucionin e presidencës, por iniciativa për shkarkim ka ardhur si nevojë për të çliruar presidencën nga një pengmarrje.
Procedura për zgjedhjet e presidentit të ri do kërkojë kohën e vet, dhe pse jo të jetë pjesë e një pakete bashkëpunimi me opozitën e re, që do të rikthehet në Kuvend më 9 shtator. Me opozitën e legjislaturës së re do të kemi mundësi që këto çështje t’i adresojmë së bashku. /albeu.com/