19 ditë larg zgjedhjeve Palmer bën bashkë Metën, Ramën dhe Bashën

Ambasada amerikane në Tiranë ka njoftuar se Zv.Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA, Matthew Palmer, do të zhvillojë këtë të martë një takim virtual me aktorët politikë në Shqipëri

Sipas njoftimit nga vetë ambasada në fokus të bisedës  do të jenë zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, si dhe Reforma në Drejtësi.

Gjatë kësaj vizite, Palmer do të takohet me zyrtarët më të lartë të politikës shqiptare, si kryeministrin Edi Rama, Presidentin Ilir Meta dhe kryedemokratin Lulzim Basha, si dhe me ata që ambasada i cilëson “kampionët e reformës në drejtësi”.

“Zv.Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA Matthew Palmer do të zhvillojë sot një “vizitë virtuale” në Shqipëri. Ai do të takohet me Presidentin Meta, Kryeministrin Rama dhe Kryetarin e Partisë Demokratike Basha për të diskutuar mbi përparësitë e Shteteve të Bashkuara, përfshirë pritshmëritë për zgjedhjet e 25 prillit. Zv.Ndihmës Sekretari Palmer do të takohet gjithashtu me kampionët e reformës në drejtësi. Ai do ta përfundojë vizitën e tij me një tryezë të rrumbullakët me gazetarë, të cilët kanë marrë pjesë në programet e shkëmbimit dhe trajnimit të SHBA”, shkruan Ambasada.

Ky takim ven në kuadër të reformës zgjedhore, pikërisht 19 ditë nga zgjedhjet e 25 prillit.


Shtuar 6.04.2021 12:55