Ditën e sotme në Kuvendin e Shqipërisë u mbajt seanca e radhës për ngritjen e Komisionit hetimor për shkarkimin e Presidentit Meta të kërkuar nga maxhoranca.
Për herë të parë pas zgjedhjeve të 25 prillit, PS i bëri thirrje publike PD bashkëpunim për shkarkimin e Metës.
Partia Demokratike i është përgjigjur ftesës së kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla që opozita ti bashkohet PS-së në nismën për të shkarkuar presidentin e Republikës, Ilir Meta.
Gazment Bardhi, sekretar i përgjithshëm i PD në një reagim për mediat tha se detyra e PD është të merret me shitblerjen e votave.
REAGIMI I PLOTË:
Reagim i Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi
Gjëja e vetme me të cilën duhet të merremi dhe sigurisht Taulant Balla nuk pranon të bëjë, është vjedhja më e madhe e votave në historinë e Shqipërisë. Rama-Doshi-Rakipi e çoi vendin tonë në një masakër masive elektorale dhe viktimë janë qytetarët shqiptarë.
Detyra jonë është të qëndrojmë të vendosur dhe të luftojmë fort për kthimin e demokracisë në vend. Çdo çështje tjetër, synon që të shmang vëmendjen nga masakra elektorale Rama-Doshi-Rakipi, që është turpi i vetëm i Shqipërisë.