Kancelari Olaf Solz ka reaguar me një ton jashtëzakonisht të lartë kur gjatë fjalimit të tij, një grup qytetarësh e ndërprenë duke bërtitur parulla kundër tij, në lidhje me trajtimin e luftës në Ukrainë.
“Luftënxitës!”, “Bëni paqe pa armë!”, dhe “Ne jemi populli!” brohoritën një grup të vogël qytetarësh gjatë një ngjarjeje dje për Evropën në distriktin Falkensee pranë Berlinit, ku kancelari ishte folësi kryesor.
Scholz e ndërpreu fjalimin e tij për t’iu përgjigjur, duke shprehur indinjatën e tij të fortë: “Të dashur dëgjues, Vladimir Putin është luftënxitës për të cilin duhet të bërtisni sot, nëse keni ndonjë logjikë në mendjen tuaj. Për shkak të sulmit luftarak rus, nuk shoh alternativë ndaj mbështetjes së Ukrainës, qoftë edhe me armë”.
“Po, kjo është e nevojshme, nëse një vend sulmohet, atëherë ai duhet dhe mund të mbrohet – çfarë tjetër ka për të bërë? Putini dëshiron të shkatërrojë Ukrainën. Ai vrau shumë njerëz, duke përfshirë fëmijë dhe të moshuar. Kjo është vrasje. Paqja dhe liria kërcënohen nga kjo luftë”, shtoi ai.
Scholz mbrojti vendimin e qeverisë së tij për të mbështetur Ukrainën edhe me armë.
“Ishte dhe mbetet e drejtë të mbështesim Ukrainën. Pas SHBA-së, gjermanët ofrojnë më shumë. Dhe ne të gjithë do të vazhdojmë ta bëjmë së bashku për aq kohë sa të duhet,” tha ai.