Protesta në Tiranë, Lapaj: Qytetarët të marrin mësim nga politika dhe t’i vendosin gishtin kokës (FOTO LAJM)

Protestës së ditës së sotme i është bashkuar edhe aktivisti dhe avokati Adriatik Lapaj, një prej iniciatorëve të saj.

Gjatë një konference për shtyp ai është shprehur se pavarësisht reflektimit të qeverisë për energjinë elektrike, duhet të ulen edhe çmimet e shportës, pasi për Lapajn janë mjaft të larta në raport me rrogat e shqiptarëve.

“Kryeministri reflektoi për energjinë elektrike, por kjo nuk mjafton. Sot jemi dhe për çmimin e bukës, ushqimit të shportës, karburanteve, por edhe për të ngritur zërin për meritokraci, për drejtësi sociale dhe për të kërkuar që në këtë vend të marrë fund tranzicioni i stërzgjatur ku ndahen në dy kampe shqiptarët.

Çdo qytetar që e ndjen se duhet të protestojë, le ta bëj atë. Misioni që duhet të kemi është që qytetarët të reagojnë për veten e tyre. Nuk themi dot se sa sukses do të ketë kjo, por një sukses të parë e kemi, energjia elektrike nuk do të rritet për familjarët dhe bizneset. Se sa sukses do të ketë, nuk e di, por në dorë kam përpjekjen time të sinqertë. Qytetarët marrin këtë mësim të madh dhe politika t’i vendosë gishtin kokës,” tha Lapaj./albeu.com