Partia Demokratike ka informuar mbrëmjen e sotme lidhur me aktivitetin e deputetëve të saj në Strasburg në dy ditët e fundit. PD thotë se situata politike në Shqipëri, sulmi i vazhdueshëm ndaj opozitës nga mazhoranca, burgosjet politike të lidershipit të opozitës, ndikimi në zgjedhje i krimit të organizuar, ishin temat e takimit të deputetëve demokratë me Kryetarin e Komisionit të Jashtëm McAllister dhe eurodeputetë të tjerë të grupit politik të PPE dhe te Konservatoreve Europiane.
Sipas njoftimit të PD-së, në takimet informuese dhe sensibilizuese Drejtuesit e grupeve të PPE dhe Konservatore garantuan se mbështesin një Shqipëri të angazhuar kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave, korrupsionit dhe influencës së tyre në qeverisje. PD shton se ata u shprehën se do të mbështesin opozitën shqiptare në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Sipas njoftimit, PPE do të mbështesë PD në procesin zgjedhor dhe luftën e saj e te opozitës në përgjithësi për zgjedhje të lira e të ndershme.
Gjithashtu, sipas Partisë Demokratike, eurodeputetët theksuan se integrimi europian është një proces që sapo ka nisur dhe do kushtëzohet nga rekordi i Shqipërisë në luftën kundër krimit, korrupsionit dhe për zgjedhje të lira e të ndershme. Takimet e grupit Parlamentar të PD nisën paraditen e kësaj të mërkure në Strasburg dhe do të vijojnë edhe përgjatë ditës së enjte.
DEKLARATA E PD:
Situata politike në Shqipëri, sulmi i vazhdueshëm ndaj opozitës nga mazhoranca, burgosjet politike të lidershipit të opozitës, ndikimi në zgjedhje i krimit të organizuar, ishin temat e takimit të deputetëve demokratë me Kryetarin e Komisionit të Jashtëm McAllister dhe eurodeputetë të tjerë të grupit politik të PPE dhe te Konservatoreve Europiane.
Gjithashtu në takimet informuese dhe sensibilizuese Drejtuesit e grupeve të PPE dhe Konservatore garantuan se mbështesin një Shqipëri të angazhuar kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave, korrupsionit dhe influencës së tyre në qeverisje. Ata u shprehën se do të mbështesin opozitën shqiptare në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. PPE do të mbështesë PD në procesin zgjedhor dhe luftën e saj e te opozitës në përgjithësi për zgjedhje të lira e të ndershme.
Qëndrimi i eurodeputetëve është se Shqipëria, si vend anëtar i NATO duhet të respektojë voten e lirë të qytetarëve dhe të zbatojë rekomandimet e OSBE-ODIHR. Eurodeputetët theksuan se Integrimi europian është një proces që sapo ka nisur dhe do kushtëzohet nga rekordi i Shqipërisë në luftën kundër krimit, korrupsionit dhe për zgjedhje të lira e të ndershme. Takimet e grupit Parlamentar të PD nisën paraditen e kësaj të mërkure në Strasburg, të cilat do të vijojnë edhe përgjatë ditës së enjte.