Nga Edi Oga
Që janë kohë të vështira, kjo duhet të pranohet pa debat. Qeveritë nuk formohen që të shërbejnë vetëm në kohëra ‘të lehta’, më së shumti ato duhet të japin zgjidhjet më të mira për qytetarët e vendit të tyre, në kohë krizash dhe larg qoftë, luftërash. Lufta dhe jo vetëm, kanë sjellë një krizë energjitike të cilën qeverisë i duhet patjetër ta menaxhojë.
E para, ndjeshmëria dhe rëndësia e madhe e subjektit, mund të rrezikojë direkt pushtetin. Shkurtimet e furnizimit dhe rritjet zinxhir të çmimeve do të shkaktonin trazira sociale të pakontrollueshme.
E dyta, energjitika në përgjithësi dhe karburantet në veçanti janë “tagjia” kryesore që konsumon ekonomia jonë, qoftë ajo shtetërore, qoftë private. Paratë që qeveria siguron nga taksimi i naftës, janë më të lehtat për t’u mbledhur dhe janë një fraksion i konsiderueshme i të ardhurave buxhetore. Ndërkohë, fitimet nga shitjet e karburanteve, në pjesën më të madhe të tyre investohen në ndërtim, në sektorin që udhëheq ekonominë shqiptare në kohët e sotme.
Por a jemi të bindur që qeveria do dhe di të menaxhojë këtë krizë?!
Kjo është puna e opozitës!
Për fat të keq, sot nuk kemi opozitë partiake.
E vetmja opozitë që kemi, është protesta.
Në formën se si po ndodh sot, ajo vendos njëfarë presioni mbi qeverinë, por jo presion ‘ekzekutiv’, përsa kohë këto protesta nuk i organizojnë partitë politike.
Unë dje dola në protesë.
Do dal edhe nesër.