Kryetari i Sindikatës së Punonjësve në universitete, Aleksandër Kovaçi, ka folur rreth vijueshmërisë së protestës së pedagogëve në ditët në vijim.
Kovaçi është shprehur se protesta do të vijojë me bojkotin total të mësimit dhe mbledhjet para Universitetit Politeknik të Tiranës çdo ditë në orën 10:00.
Për Kovaçin, rankimi i universiteteve pa u bërë investime në to, gjë që e ka paralajmëruar kryeministri Rama, është i kotë.
Ai shtoi se me këto paga që kanë pedagogët dhe me këto investime të qeverisë për universitetet, ato nuk sjellin shpresë, duke bërë që studentët të largohen.
“Sindikata e punonjësve të arsimit, duke falenderuar stafin akademik deklaron protestë në ditët në vijim, në formën e ndërprerjes së plotë të procesit mësimor gjatë gjithë ditës dhe grumbullimit në orën 10 para fakulteteve, te politekniku sic janë sot. Vetëm qëndresa jonë e përbashkët do rikthejë dinjitetin e profesionit tonë dhe një thirrje të vecantë kam për ata që nuk janë bashkuar në protestë, misioni ynë akademik vijon.
Ne jemi pedagogët më të keqpaguar në Europë, pa literaturë bashkohore, pa kërkim shkencor pa laboratore, ska të ardhme. Ai e ka takimin me drejtorët dhe natyrisht ti thërrasë mendjes të targetojë gjendjen e mjerueshme të universiteteve, të gjitha janë në gjendje kënetore , nuk ka rankim pa investim.
Performanca e universiteteve është shumë e mirë krahasuar me kushtet, falë pedagogëve. Rankim nuk ka sepse nuk bëhet me 0.7% të GDP-së, të kthejnë kokën nga universiteti dhe të financojnë dhe të kemi mundësi të konkurrojmë me universitetet e tjera,” tha Kovaçi.