Protestat e opozitës në Tiranë vijojnë për të 79-ën ditë radhazi. Tubimi i mbrëmjes së sotme zhvillohet një ditë pas tensioneve dhe përplasjes mes disa protestuesve gjatë protestës së së dielës.
Protestuesit u mblodhën në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, sipas të njëjtës itinerar që ndjekin çdo mbrëmje.
Të lidhura
None found
Marshimi përfundoi përpara Kryeministrisë, ku pjesëmarrësit kërkuan sërish dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Në fjalimet dhe thirrjet e protestuesve u përsëritën edhe kërkesat për ndryshimin e klasës politike dhe ngritjen e një qeverie teknike.
Tubimi vjen pas incidentit të ndodhur mbrëmjen e kaluar, kur protestuesit u ndanë në dy grupe dhe situata u shoqërua me ofendime e tensione. Gjatë përplasjes dyshohet se ka ndodhur edhe një incident fizik i veçuar.
Mes folësve të protestës së 79-të ishte edhe Agron Jemini, i njohur si “Agroni i Flamurit”, i cili ishte përfshirë në incidentin e një nate më parë. Ai u kërkoi autoriteteve të ndërhyjnë, ndërsa protestuesve u bëri apel të qëndrojnë të bashkuar dhe të shmangin përçarjen.
