Protesta e opozitës dhe seanca në Apel, VOA: Nëse gjykata merr sot vendim, Berisha të gjejë alternativë tjetër për të hyrë në zgjedhje

Në Shqipëri, opozita nisi pas mesditës protestën e radhës kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, ndërsa në Gjykatën e Apelit po zhvillohet seanca e procesit gjyqësor që do të përcaktojë juridikisht se cilat janë strukturat udhëheqëse të Partisë Demokratike. Në mars të vitit të kaluar, Gjykata e Tiranës, njohu si të ligjshëm Kuvendin Kombëtar të thirrur nga ish kryeministri Sali Berisha dhe mbështetësit e tij, e po ashtu dhe vendimet e dala nga ky Kuvend, i cili shkarkoi të gjitha strukturat dhe figurat drejtuese të partisë së udhëhequr deri në atë kohë nga zoti Lulzim Basha. Por ndaj këtij vendimi u bë ankimim nga kryetari i grupit parlamentar Enkelejd Alibeaj.

Qëndrimi i sotëm i Gjykatës, do të jetë përcaktues për të qartësuar se cili nga dy grupimet e Partisë Demokratike, do të përfaqësohet me siglën e kësaj force politike, në zgjedhjet vendore të 14 majit. Nëse Gjykata nuk do të shprehet sot me vendim, atëherë me gjasë, do të jetë grupimi i udhëhequr nga zoti Alibeaj, që do të përfshihet në garën elektorale, si Partia Demokratike, ndërsa zotit Berisha do t’i duhet të gjejë një alternativë tjetër, siç ndodhi në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit 2022, kur kandidatët e tij, garuan nën siglat e koalicionit “Shtëpia e Lirisë” e rregjistruar nga LSI dhe Partia Demokristiane. Afati për rregjistrimin e forcave politike garuese në zgjedhje skadon më 6 mars.

Zoti Berisha është shprehur se protesta e sotme nuk ka lidhje me procesin në gjykatën e Apelit, ku sipas tij nuk ka asnjë bazë ligjore për të njohur si palë zotin Alibeaj. Ai ka deklaruar se opozita ka nisur një “revolucion demokratik paqësor” pasi sipas tij “nuk ka rrugë tjetër për përmbysjen e kësaj kufome politike që quhet Edi Rama, i cili ka arritur në një stad, që përbën rrezik real për çdo shqiptar”.


Shtuar 3.03.2023 14:25