Prokuroria e Sarandës u sekuestron qindra m2 sipërfaqe toke Turizëm-Kanal i Çukës

Prokuroria e Sarandës ka sekuestruar sot 679 m2 truall të regjistruar në shkelje të ligjit. Kërkesa është bërë nga Prokurori Kledian Llaho, i cili ka avancuar në hetimet ndaj ish-Drejtuesve dhe zyrtarëve të ASHK Sarandë.

Burimet bëjnë me dije se trualli i sekuestruar ndodhet në zonën “Turizëm – Kanali i Çukës” dhe nga pronësi shtet ishte regjistruar në emër të dy biznesmenëve nga Saranda, të cilët aty kishin ngritur biznes.

Ky sekuestrim është në kuadër të procedimit penal 297 të vitit 2021 ku në 24 mars u arrestuan 4 zyrtare dhe ish-zyrtarë të ASHK Sarandë dhe u shpall në kërkim ish-Drejtoresha e institucionit.

Sekuestrimi i sotëm vjen pas sekuestrimit të 9920 m2 truall në 2 qershor me urdhër të Prokurorit Llaho, të tjetërsuar me dokumente të falsifikuar dhe të regjistruar më pas në emër të 11 personave private.

Njoftimi:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë ka sekuestruar në datë 22.7.2022 një sipërfaqe prej 679m2 tokë truall në zonën Turizëm-Kanal i Çukës.

Në kuadër të procedimit penal, me nr. 297 të vitit 2021, regjistruar ndaj zyrtarëve të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Sarandë, hetimet kanë avancuar duke konstatuar elemente të veprës penale të shpërdorimit të detyrës.

Për këtë arsye, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë në mbyllje të hetimit ka proceduar më tej me sekuestrimin e pasurive tokë shtetërore të regjistruara ne shkelje të ligjit në favor të dy shtetasve K.GJ dhe M.N.

Shtuar 22.07.2022 13:40