Princ Harry kërkon “paqe”, por vëllai i tij dhe Mbreti Charles nuk kanë më besim tek ai

Familja mbretërore nuk ka më asnjë besim te Princi Harry, pas asaj që ka dalë nga kujtimet e tij dhe çfarë ka thënë gjatë gjithë këtyre ditëve në intervistat që ka dhënë për mediat televizive amerikane.

Sipas burimeve të mirëinformuara nga Buckingham Palace, Mbreti Charles dhe Princi William kanë arritur kufijtë e tyre.

Duke folur me Tom Brady në ITV’s News at Ten, Harry tha se do të ishte i hapur për pajtim dhe madje do të kthehej në një rol mbretëror, me kusht që të mund të kishte diskutime “të sinqerta” me familjen e tij, por që do të mbetej private.

“Nuk e di nëse do ta shikojnë këtë intervistë apo jo, por çfarëdo që të më thonë mua dhe çfarëdo që unë t’u them do të jetë private dhe shpresoj që ata të qëndrojnë kështu”, tha Harry, duke theksuar se ai nuk dëshiron që asnjë bisedë e tyre të rrjedhë.

Megjithatë, deklaratat e mësipërme shkaktuan shumë komente ironike në rrjetet sociale, nisur nga të gjitha momentet private që Harry ka ndarë në librin e tij me kujtime, Spare, që do të publikohet sot. /albeu.com


Shtuar 10.01.2023 10:32