Prigozhin inskenoi vdekjen e tij, versioni “bombë” i konspiracionistëve

Nga Ellie Cook “Newsweek

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Disa teori konspirative po qarkullojnë dendur në rrjet rreth vdekjes së mundshme të liderit famëkeq të mercenarëve të Wagner, Yevgeny Prigozhin, pasi një avion u rrëzua në Rusi të mërkurën. Autoriteti rus i Aviacionit Civil, deklaroi se një avion privat që sipas të dhënave kishte në bord edhe ish-aleatin e Kremlinit Prigozhin, u rrëzua në veri të Moskës, duke i vrarë të 10 pasagjerët.

Midis tyre ishte edhe Dmitry Utkin, një ish-oficer rus që mendohet se ishte bashkëthemelues i grupit të mercenarëve. Përplasja ndodhi 2 muaj pasi Prigozhin udhëhoqi një rebelim të armatosur jetëshkurtër kundër Kremlinit. Forcat e tij që pushtuan qytetin jugor Rostov-on-Don, përpara se të marshonin drejt kryeqytetit rus.

Rebelimi u anulua pas një marrëveshje që thuhet se ishte ndërmjetësuar nga presidenti bjellorus Alexander Lukashenko. Lista e pasagjerëve e publikuar nga autoritetet ruse, tregoi se në bord kishte 7 pasagjerë dhe 3 anëtarë të ekuipazhit. Agjencia Federale e Transportit Ajror të Rusisë konfirmoi nisjen e një hetimi mbi këtë ngjarje.

Avioni u rrëzua në afërsi të fshatit Kuzhenkino, në rajonin Tver. Shumë shpejt në internet u bënë virale pamjet e avionit që rrezohej në tokë, së bashku me fotot e rrënojave. Trupat e gjetura në vendin e përplasjes nuk janë identifikuar ende, shkroi të enjten në rrjetet e tij sociale blogeri ushtarak rus me shumë ndikim, i njohur me nofkën Rybar.

Mendohet se llogaria e tij në rrjetet sociale drejtohet nga një ish-punonjës i Ministrisë ruse të Mbrojtjes. Një tjetër media ruse pretendoi se trupi i Prigozhin është transferuar në një morg dhe po ekzaminohej në Tver. Por rrethanat rreth rrëzimit të avionit kanë frymëzuar një valë teorish konspirative se kush është përgjegjës apo nëse udhëheqësi i Wagner gjendej vërtetë në mesin e viktimave.

Ministria ruse e Mbrojtjes nuk ka komentuar zyrtarisht për rrëzimin dhe është kontaktuar

nga “Newsweek”. Kanali në Telegram me emrin “Zona Gri”, i lidhur me Wagner-in, tha se Prigozhin dhe Utkin kishin vdekur “si rezultat i veprimeve të tradhtarëve ndaj Rusisë”, pa specifikuar më tej detaje.

Po ashtu, kanali pretendoi se avioni ishte rrëzuar nga njësitë e mbrojtjes ajrore ruse gjatë udhëtimit të tij nga Moska në Shën Petersburg. Vladimir Rogov, një zyrtar lokal i mbështetur nga Rusia në rajonin jugor të Zaporizhzhias në Ukrainë, tha se kishte marrë konfirmimin se Prigozhin dhe Utkin kishin vdekur, duke e quajtur atë një “vrasje”.

Megjithatë deri tani nuk është ofruar asnjë provë për të mbështetur ndonjë nga pretendimet dhe teoritë. Presidenti amerikan Joe Biden, së bashku me disa analistë, e drejtuan gishtin nga presidenti rus Vladimir Putin. Ndonëse nuk i dinte detajet e rrëzimit të avionit, Biden tha: “Unë nuk jam i befasuar”. Në rusi nuk ka shumë gjëra që ndodhin prapa të cilave nuk qëndron Putin. Por unë nuk di mjaftueshëm për të ditur përgjigjen e saktë”.

A ishte incidenti i inskenuar?

Kanali rus në Telegram “Baza”, i lidhur me shërbimet ruse të sigurisë, tha të mërkurën se “Prigozhin kishte ‘vdekur’ edhe më herët”, duke rikujtuar se financuesi i Wagner u shpall i vdekur edhe në një aksident ajror në vjeshtën e vitit 2019.

Mediat ruse raportuan në tetor 2019 se Prigozhin mund të kishte humbur jetën kur një avion transporti ushtarak An-72 u rrëzua në Republikën Demokratike të Kongos. Më vonë rezultoi se ai nuk ishte në atë avion. Raportet se Prigozhin është vrarë janë “pretendime të rreme”, tha ish-piloti i garave Igor Sushko në një postim për platformën X.

“Ky duket si një komplot i Putinit për ta zhdukur nga skena”- tha ai. Megjithatë, Sushko tha më pas, aktivisti rus i të drejtave të njeriut në mërgim, Vladimir Osechkin, ishte “99.999 për qind i sigurt se Prigozhin ishte vrarë vërtetë nga Putin”, duke pretenduar se citonte burime ruse të sigurisë.

“Nëse unë do të isha Prigozhin, pikërisht në këtë mënyrë do ta inskenoja vdekjen time të rreme”- ka shkruar një tjetër përdorues i rrjeteve sociale. “Të gjithë do të ishin të lumtur, dhe unë mund të tërhiqesha në paqe ne jetën time private”- shtoi ai. Në një postim në platformën X, gazeta e Evropës Lindore “Visegrad 24” ngriti pyetjen: “A ka mundësi që incidenti të jetë një dredhi e zgjuar e Prigozhin për të falsifikuar vdekjen e tij dhe për t’u zhdukur?”

Prigozhin u largua pas përplasjes

Duke cituar të dhënat e gjurmimit të fluturimit, disa spekulojnë se një avion i dytë në pronësi të Prigozhin u nis gjithashtu nga Moska për në Shën Petersburg në të njëjtën kohë. Dhe disa pretendojnë se shefi i Wagner ishte pikërisht në bodin e avionit të dytë. Christo Grozev, nga gazeta investigative “Bellingcat”, shtoi se të gjithë ishin kuriozë të shihnin nëse Prigozhin do të dilte i gjallë nga avioni i dytë.

Një sozi e Prigozhin?

Ndërkohë muajt e fundit ka pasur spekulime nëse Prigozhin ka përdorur një sozi. Pasi udhëheqësi i Wagner kishte humbur më parë një pjesë të gishtit, por dukej se i kishte të gjithë gishtat e tij të paprekur në fotografitë e fillimit të këtij viti.

Pas rebelimit të Wagner në fund të qershorit, u shfaqën gjithashtu foto që e shfaqnin Prigozhin duke veshur një sërë maskash, përfshirë disa lloje parukesh. “Ai është një mashtrues, një krijesë e çuditshme”- thotë një burim për median e pavarur ruse të lajmeve “Meduza”. Ai ka informatorë në struktura të ndryshme, ndaj duhet të presim se çfarë do të ndodhë. /albeu.com

 


Shtuar 25.08.2023 11:08