Pak më parë, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, ka mbërritur në Rinas, në një vizitë disa orëshe në Tiranë, ku do të ketë disa takime dhe do të marrë pjesë në inaugurimin e xhamisë së Namazgjasë.
Erdogan është pritur në aeroportin ‘Nënë Tereza’ nga zëvendëskryeministrja Belinda Balluku. Para institucionit të Kryeministrisë shtrohet tapeti i kuq për presidentin turk.
Presidenti Erdogan, do të zhvillojë takim me presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama. Më pas ai do të ketë një konferencë për mediet me Ramën, ndërsa në orët e pasdites do të marrë pjesë në inaugurimin e xhamisë së Namazgjasë.
Drejtoria e Policisë Tiranë, me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ka marrë një sërë masash të detajuara ku do të ketë edhe bllokime të disa segmenteve rrugore, si dhe bllokime të pjesshme të disa segmenteve të tjera, në varësi të takimeve dhe aktiviteteve që do të zhvillohen gjatë vizitës në Tiranë.