Presidenti Begaj: Shqipëria u zgjodh për herë të tretë anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut në OKB

Në mbarë botën shënohet sot Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut. Presidenti i vendit, Bajram Begaj shkruan se kjo ditë është një përkim i bukur që në 75-vjetorin e saj, Shqipëria u zgjodh për herë të tretë anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut në OKB.

“Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, dokumenti themelor që ka shenjuar historinë e të drejtave të njeriut, përkon sot me 75-vjetorin e krijimit.

Deklarata e të Drejtave të Njeriut është ideali i përbashkët, për të cilin luftojnë ta arrijnë të gjithë popujt dhe kombet, që në mënyrë të sigurt çdo individ të gëzojë i barabartë dhe pa diskriminim liritë dhe të drejtat themelore njerëzore.

Është një përkim i bukur që në 75-vjetorin e saj, Shqipëria u zgjodh për herë të tretë anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut në OKB.

Institucionet tona do të vijojnë të mbrojnë dhe promovojnë të Drejtat e Njeriut për një botë me liri, drejtësi e barazi për të gjithë.”, shkruan Presidenti.