Presidenti Begaj nderohet me titullin “Doctor Honoris Causa” në Universitetin “Kadri Zeka” të Gjilanit

Këtë të premte, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, u nderua me titullin “Doctor Honoris Causa” nga universiteti publik “Kadri Zeka” i Gjilanit, në një ceremoni solemne ku u theksua rëndësia e arsimit cilësor për të ardhmen e kombit shqiptar.

Në fjalën e tij, presidenti Begaj, vlerësoi këtë titull jo vetëm si një nderim personal, por si një përgjegjësi për të mbështetur arsimin e lartë dhe për të investuar në brezat e rinj.

Ne duhet të rrisim një brez të ditur, me moral, me ndjenjën e përkatësisë, përgjegjësisë dhe interesit kombëtar”, u shpreh ai.

Duke analizuar sfidat e arsimit të lartë, kreu i shtetit theksoi se vendet tona kanë nevojë për profesionistë të aftë dhe me integritet. “Nuk mjafton të kemi më shumë universitete dhe diploma. Na duhen më shumë shkencëtarë, sipërmarrës, mendimtarë dhe udhëheqës të përgjegjshëm që mendojnë për gjeneratën tjetër”, deklaroi ai.

Në një botë që po transformohet me shpejtësi nga teknologjia dhe inteligjenca artificiale, presidenti bëri thirrje për përgatitjen e një shoqërie konkurrente dhe përfshirjen aktive të Shqipërisë dhe Kosovës në krijimin e dijeve, jo vetëm në konsumimin e tyre. “Teknologjia sot është një filtër që ndan kombet: në ato që udhëheqin dhe ato që ndjekin. Ne duhet të jemi kontribuues aktivë”, u shpreh ai.

Presidenti theksoi gjithashtu se suksesi i shqiptarëve në fusha të ndryshme si mjekësia, shkenca, arti apo diplomacia është rezultat i investimit të tyre në dije dhe vlera, duke theksuar se çdo brez që ka ecur përpara, e ka bërë përmes dijes, jo fatit.

Ai bëri apel për krijimin e kushteve që këto mendje të ndritura të kontribuojnë në vend: “Një komb që ka një rini të shkolluar, është një komb që nuk mund të ndalet. Një komb që investon te rinia, ecën i sigurt drejt së ardhmes.”

Pas ceremonisë, presidenti Begaj, së bashku me drejtuesit e Universitetit “Kadri Zeka”, mbolli një pemë në oborrin e rektoratit, si simbol i rritjes dhe së ardhmes. Më pas, vizitoi edhe shtëpinë muze të heroit kombëtar Rexhep Mala.