“Premtonte shtetësi greke dhe pensione…”, gazetarja zbadh çfarë shkruhet në dosjen e Fredi Belerit

Gazetarja investigative Klodiana Lala ka zbardhur detaje të reja nga dosja e Prokurorisë, për Fredi Belerin, kryetarin e zgjedhur të Bashkisë së Himarës, i cili u arrestua dy ditë para zgjedhjeve.

E pranishme në emisionin “Të Paekspozuarit”, Lala tha se në dosje thuhet se për tetë persona në listë do të jepeshin nga 50 mijë lekë të vjetra, teksa sipas Prokurorisë, Beleri premtonte edhe shtetësi greke apo marrje pensioni në Greqi.

“Policia e Vlorës ka marrë informacione në rrugë operative në 8 maj, që listonte emrat e disa personave të lidhur me Fredi Belerin. Sipas këtyre informacioneve këta persona po shpërndanin para për të blerë vota për Fredi Belerin. Është regjistruar procedim penal dhe po atë ditë është paraqitur një shtetas me inicialet A.R, që ka deklaruar se pjesëtar të shtabit elektoral të zotit Beleri, i kishin ofruar para për të grumbulluar vota për zotin Beleri.

Prokuroria ka bërë autorizimin për të përgjuar, vëzhguar dhe regjistruar me audio dhe video, kontaktet që do të kishte shtetasi A.R.

Katër ditë para zgjedhjeve, shtetasi A.R ka patur takim me zotin Beleri, i cili kërkonte emrat potencialë për personat që do të jepnin votën për të. Janë rreth 12 emra, ka kontaktuar zotin Beleri. Ai nuk ka qenë në shtab dhe ka dorëzuar listën me emrat e votuesve potencialë, tek sekretarja.

Zoti Beleri ka deklaruar, sipas përgjimeve audio dhe video, se do të verifikonte listën dhe do ta orientonte te personat që do të shpjegonin çfarë do të ndodhte.

Një moment i infiltruari e pyet, nëse do ti kontaktonte ai vetë, Beleri thotë nuk merrem me këtë punë por do ti orientonte Pandeli kokaveshi.

I infiltruari ka vajtur në lokal, kur ka hyrë Kokaveshi, i ka hequr celularin për të shmangur regjistrimin. Pastaj kanë deklaruar se vetëm për 8 persona në listë do të jepeshin nga 50 mijë lekë të vjetra. Ndërsa 300 euro i ishin premtuar shtetasit A.R.

Sipas Prokurorisë, Beleri premtonte edhe shtetësi greke apo marrje pensioni në Greqi.

Fredi Beleri pretendon se nuk ka lidhje me shit-blerjen e votës dhe mban tezën që arrestimi është politik.

Prokuroria thotë se zoti Beleri ka kontaktuar disa nga personat që janë në listën e të infiltruarit”, tha gazetarja.


Shtuar 25.05.2023 21:59