Premtimi i Bashës nga Bulqiza: Brenda 6 muajve të para do të bëj realitet statusin e minatorëve

Lulzim Basha ishte i pranishëm ditën e sotme në Bulqizë, aty ku u takua me qytetarët. Basha tha se një nga premtimet e tij, nëse vjen në pushtet, është që në 6 muajt e parë të bëjë realitet statusin e minatorëve.

Ai tha se ndryshimi vjen përmes Partisë Demokratike dhe i bëri thirrje qytetarëve të votojnë për të, që ta bëjnë prekshme këtë ndryshim.

“Qytetarë, fermerë, mirë se ju gjej në këtë mesdite të bukur të ndriçuar nga dielli, sepse një ditë e re po vjen, për Shqipërinë, shqiptarët, ditë ndryshimi, fitoreje për Shqipërinë, Bulqizën, Dibrën dhe të gjithë Shqipërinë. Entuziazmi juaj, forca e thirrjes suaj për ndryshim, ka bindur çdo shqiptar, se 25 prilli është dita juaj. Nuk është dita e politikës së përçarjes, por dita e politikës së bashkimit për të shporrur këtë qeveri. Prandaj 25 prilli është një ditë jo për politikën. Por për njerëzit, qytetarët, popullin dhe ndryshimin.

Por a është 25 prilli një ditë për minatorët e Bulqizës? A është dita e ndryshimit, për mijëra banorë të këtij qyteti dhe qyteteve të tjera që e kalojnë gjysmën e ditës. A është 25 prilli vazhdim i gënjeshtrave, premtimeve të pambajtura, pagave t pamjaftueshme, minatorët e Bulqizës. A është 25 prilli vazhdimi i pamundësisë për të dërguar fëmijët e minatorëve në universitet. Kjo është pyetja në mendjen e shumë minatorëve të Bulqizës dhe unë e di fare mirë. E di sepse këtu nga ky shesh dhe shesheve të tjera të Bulqizës kemi folur, për problemet që janë bërë gjithnjë e më të mëdha, premtimet që janë hedhur me shumicë në fushatë elektorale e më pas janë harruar. E dimë që Shqipëria është mbytur në halle për shkak të keqqeverisjes së Ramës.

Ne e dimë që në detin e vuajtjeve spikat ajo e minatorëve të Bulqizës, naftëtarëve të Ballshit, ndaj kam ardhur sot këtu, për të shpallur e bërë të njohur një nga ndryshimet kryesore të qeverisë time, për resurset minerale. Ndaj dua ta përsëris, nga ky shesh i Bulqizës, për çdo minatorë Bulqiza, minator shqiptar, për familjet e tyre dhe fëmijët e tyre, për sindikatat e minatorëve dhe pensionistët minatorë që kanë shpenzuar jetën e tyre nën tokë. Qartë, prerë e shkurt, brenda 6 muajve të parë qeveria ime do të miratojë statusin e minatorin sipas parimeve Evropiane.

Kjo është më e pakta dhe detyrimi më i vogël për ju, fëmijët tuaj, për shkollimin e tyre, sigurimin e jetës së tyre. Brenda 6 muajve të parë në dialog dhe në konsensus me përfaqësuesit tuaj statusi i minatorit do të jetë realitet. Do heq traun në rrugën e Kombit. Detyra e parë e atij që kërkon votën për të qeverisur është të mbaj zotimet. Ndaj kam ardhur këtu të votohem prej jush, sepse statusi i minatorit do të jetë i garantuar me PD dhe qeverinë e ardhshme.

Ju ftoj të investoni tek ndryshimi që po vjen, të shkoni derë më derë, tek minatorët, fermerët e Bulqizës dhe t’i bëni pjesë e ndryshimit tonë të madh më 25 prill. ora e ndryshimit po troket si asnjëherë tjetër, shqiptarët do të kenë një orë vendimtare për ju, fëmijët tuaj dhe për atë që do të ndodhë. A do të shkojmë drejt Evropës a do të mbetemi në fund të vendeve të Rajonit. Nuk shkohet në Evropë me shëndetësi të rrënuar, nuk shkohet pa respektuar punën, nderin, minatorë e fermerë.

Në Evropë shkohet duke rritur standardet, thithur investimet dhe i garantuar të rinjve të ardhme në vendin e tyre. Këto dy javë kemi një pyetje për t’iu përgjigjur. A do të rrimë siç kemi qëndruar tetë vite me Edi Ramën, mes gënjeshtrash dhe tradhti, apo do të sjellin ndryshimin që premton PD. Sepse të gjithë e dinë që ai që nuk i mbajti premtimet, dështoi e ju la në baltë, e galeritë e nëntokës, pa përkrahje e cinizëm, nuk ndryshon as katër, por edhe 40 vite po t’i japësh. Ndaj ju ftoj të votoni PD dhe të zgjidhni ndryshimin. Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaj, Zoti e bekoftë ndryshimin!”, tha Basha.


Shtuar 10.04.2021 15:03