Prej muajsh në qeli, GJKKO cakton datën për gjyqin e Belerit

Gjykata e Posaçme ka caktuar 12 tetorin si datën për seancën e radhës ndaj kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, i cili ra në prangat e policisë më 12 maj, dy ditë para zgjedheve vendore të 14 majit.

Mësohet se seanca ndaj Belerit do të mbahet në orën 09:00. Kujtojmë se kryebashkiaku i Himarës ndodhet në paraburgim prej datës 12 maj, dy ditë para zgjedhjeve lokale, pasi u kap në flagrancë duke premtuar dhe dhënë para për të blerë vota. Pavarësisht se ishte në qeli, ai arriti të fitonte dhe të merrte mandatin nga KQZ.

Fredi Beleri, kandidat i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, u arrestua dy ditë para zgjedhjeve të 14 Majit dhe bashkë me bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshi, akuzohen për blerje votash.

Prokuroria dhe Policia e Vlorës e ndoqën rastin me metoda speciale hetimi, duke përdorur agjent të infiltruar, i cili për tetë vota mori 400 mijë lekë të vjetra. Beleri dhe Kokaveshi u arrestuan në kushtet e flagrancës.


Shtuar 3.10.2023 12:52