“Prej kohësh kërkohet konfrontim i përgjakshëm”, Meta: Basha të shkojë në zgjedhje për kryetar

Presidenti Ilir Meta, mbrëmjen e sotme, nga Maqedonia e Veriut ka komentuar situatën në PD.

Meta tha se asnjë qytetar në Shqipëri nuk e meriton të shohë ato pamje që u prodhuan nga protesta e 8 janarit dhe theksoi se në  rastin kur një kryetar kontestohet ai duhet t’i nënshtrohet procesit të votëbesimit.

“Ajo që po ndodh në PD është krejt pa kuptim. Edhe ajoi që ka ndodhur më përpara, djegia e mandateve a ka qenë diçka normale. Sot opozita në Shqipëri nuk ka asnjë këshilltar në nivel vendor dhe komunal. Problem kryesor ka qenë vetë lidershipi i opozitës që gjithmonë ka marrë vendime të gabuara. Asnjë qytetar në Shqipëri nuk e meriton të shohë ato pamje. Asnjë anëtar i PD. Po ndodh një gjë që nuk ka asnjë kuptim që në demokraci, të injorohet vota. Kur një kryetar kontestohet duhet t’i nënshtrohet procesit të votëbesimit. Shkelja e këtyre parimeve çon në situate të pakuptimta”, tha Meta.

Më tej, Meta u shpreh se në Shqipëri prej kohësh kërkohet konfrontim artificial dhe i përgjakshëm.

“Shpresoj që më mençuri demokratët të mos bien pre e padurimit. Në Shqipëri, prej kohësh kërkohet konfrontim artificial dhe i përgjakshëm. Kjo u kërkua kur u dogjën mandatet. Ndërhyrja ime për të caktuar një datë, ishte sepse ishin shfaqur mjaft tensione të pakontrollueshme. Ju i keni parë shfaqjet e dhunës. Ka qenë një nga aktet për të cilat jam krenar që kam ndërmarrë sepse kam shmangur dhunën dhe përgjakje mes shqiptarëve. PS ka pasur kontestime për disa nga aktet e mia si president. Jam gati të votëbesohem në popull. Kjo gjë duhet të jetë kudo kur ka një kontestim”, deklaroi Meta.


Shtuar 10.01.2022 22:13