Tre persona kanë rënë në pranga në kuadër të operacionit “Four”, nga Komisariati i Policisë Nr. 4, dhe Seksioni për Hetimin e Narkotikëve.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 dhe Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të operacioneve për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, pas një pune të mirëfilltë hetimore kanë organizuar dhe kanë finalizuar operacionin.
Si rezultat u bë arrestimi i shtetasve Ll. D., 31 vjeç, L. S., 40 vjeç, dhe Xh. M. (L)., 30 vjeç.
Shtetasi Ll. D., është kontatuar nga shërbimet e Policisë në rrugën “Rexhep Tarja”, dhe gjatë kontrollit fizik të tij, shërbimet e Policisë, i gjetën sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis.
Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të banesës, ku u gjetën shtetasit L. S., dhe Xh. M. (L)., shërbimet e Policisë, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, dy thasë të zinj me lëndë të dyshuar narkotike kanabis me peshë 10 kg.