Gjatë 24 orëve të fundit, Policia Rrugore ka evidentuar dhe ndëshkuar 1339 drejtues mjetesh, për shkelje të ndryshme që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.
Nga monitorimi me dron i kryer nga Njësia Operacionale e Policisë Rrugore, në akset rrugore Elbasan-Peqin dhe Rinas-Thumanë, janë evidentuar dhe ndëshkuar me masa administrative që varionin nga 7.000 deri 10.000 lekë të rinj, 143 drejtues mjetesh që kanë kryer parakalime të gabuara dhe të rrezikshme në rrugë.
Sipas Policisë, në të gjithë vendin janë konstatuar dhe arrestuar 9 drejtues mjetesh, nga të cilët 6 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 3 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Janë pezulluar 43 leje drejtimi, nga të cilat 26 për shpejtësi mbi normat e lejuara, që arrinte nga 181 km/h në rrugën interurbane Tiranë-Elbasan deri në 200 km/h në autostradën Levan-Vlorë, 15 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit dhe 2 për qarkullim në sens të kundërt.
Janë vendosur 395 masa administrative me vlerë deri në 4.000 lekë të rinj, për shpejtësi tej normave të lejuara dhe 65 masa administrative me vlerë 5.000 lekë të rinj (pa masën plotësuese të pezullimit të lejes së drejtimit), për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës në tërësi, veçanërisht drejtuesit e mjeteve, motomjeteve dhe çiklistët, që të tregojnë kujdes dhe të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor.
Të gjitha rrugët nacionale dhe urbane në të gjithë vendin janë të monitoruara me patrulla të lëvizshme të Policisë Rrugore, duke përdorur radarë, dragera, dronë, makina të paloguara, kamera e aparate fotografike./albeu.com