Policia merr në duar “kutinë e Pandorës” nga Maroku

Autoritetet marokene i kanë përcjellë hetuesve shqiptarë aparatin celular të Ruben Saraivës, 28-vjeçarit portugez i cili dyshohet se kishte rolin e ekzekutorit në eliminimin e biznesmenit lezhjan Ardian Nikulaj më 19 Prill të këtij viti, brenda ambienteve të hotelit të tij në Shëngjin.

Sipas Klan, zbërthimi i komunikimeve të portugezit me anëtarët e tjerë të grupit të vrasësve me pagesë, katër britanikë dhe porositësi Edmond Haxhia do t’u shërbejë hetuesve për të siguruar prova të reja në lidhje me ngjarjen e rëndë. Celulari i tij konsiderohet si një “minierë” informacioni për policinë.

Burimet bëjnë me dije se nga ana tjetër, marokenët, të cilët arrestuan Ruben Saraivën më shumë se 6 muaj më parë, pas një kohe të gjatë pa përgjigje, i kanë kërkuar palës shqiptare prova shtesë në kërkesën e tyre për ekstradim të vrasësit në drejtim të Tiranës.

Përmes Ministrisë së Drejtësisë pritet të dërgohen në vijim materiale të tjera provash të hetimeve të muajve të fundit mbi ngjarjen, me të cilat do të synohet sjellja e portugezit në Shqipëri. Të arrestuar në Britani të Madhe janë pjesa tjetër e grupit kriminal, Edmond Haxhia, Stephen Hunt, Thomas Mithan, Harriet Bridgeman dhe Harry Simson, për të cilët akoma nuk ka një vendim ekstradimi në Shqipëri.


Shtuar 30.11.2023 11:12