Policia “me dorë të hekurt”, ndëshkon 2584 persona që nuk mbajtën maskën anti-Covid (VIDEO)

Janë ndëshkuar me masë administrative 2584 shtetas që nuk zbatuan masat anticovid, gjatë 4 ditëve të fundit.

2546 prej tyre janë ndëshkuar për mosmbajtjen e maskave mbrojtëse.

Gjatë 4 ditëve të fundit, Patrullat e Përgjithshme kanë ndëshkuar me masë administrative 3.000 lekë, 2246 shtetas që janë konstatuar pa maskat mbrojtëse.

Shërbimet e Policisë Rrugore kanë ndëshkuar me të njëjtën masë administrative, 300 shtetas që udhëtonin në mjete private me persona me të cilët nuk kishin lidhje familjare apo në mjetet e transportit publik, pa vendosur maskat mbrojtëse.

Gjatë kontrolleve në subjekte të ndryshme, shërbimet e Policisë kanë evidentuar 3 subjekte që ushtronin aktivitetin në kundërshtim me protokollet e sigurisë. Për pronarin e secilit subjekt është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë.

Gjithashtu janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 35 shtetas që janë konstatuar duke lëvizur në këmbë pas orës 20:00.

Në zbatim të masave anticovid, Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve që të respektojnë orën policore, të vendosin maskën dhe të ruajnë distancimin social, ndërsa subjektet tregtare, lokalet dhe restorantet të respektojnë protokollet e sigurisë dhe orarin e mbylljes, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.


Shtuar 23.03.2021 14:25