Policia ka prangosur një baron të rëndësishëm droge në një operacion të madh evropian.
Operacioni zhvillohej pikërisht kundër trafiqeve.
Bëhet fjalë për Darko Sariç, i cili tashmë po gjykohet për kontrabandë të sasive të mëdha të kokainës, dhe disa anëtarë të dyshuar të organizatës së tij kriminale.
Nga Milica Stojanovic dhe Ivana Jeremic
Darko Sariç, një trafikant i dyshuar i madh serb droge, u arrestua të enjten në mëngjes në vilën e gruas së tij në periferi të Beogradit, Senjak, si pjesë e një operacioni ndërkombëtar të koordinuar nga EUROPOL dhe EUROJUST, agjencitë e BE-së për zbatimin e ligjit dhe bashkëpunimin në drejtësinë penale.
Policia arrestoi gjithashtu katër anëtarë të tjerë të një grupi të dyshuar të organizuar kriminal që besohet se operonin në Serbi, gjetkë në Evropë dhe në Amerikën e Jugut.
Sariç është organizatori i dyshuar i grupit dhe policia “po kërkon intensivisht për pjesën tjetër të anëtarëve”, thuhet në një deklaratë të policisë.
Ata akuzohen për bashkim me qëllim të kryerjes së veprave penale, vrasje të rëndë, prodhim dhe shpërndarje të paligjshme të lënëve narkotike, prodhim, mbajtje dhe trafikim të paligjshëm të armëve dhe lëndëve plasëse, rrezikim të përgjithshëm dhe shpërdorim të pozitës zyrtare.
Mediat serbe raportuan se së bashku me Sariçin, u arrestua edhe avokati i tij, Dejan Lazareviç dhe u kontrollua zyra e avokatit.
Lazareviç është i njohur për përfaqësimin e figurave kryesore në çështje penale si bosi famëkeq Veljko Belivuk.
Mediat serbe raportuan se janë arrestuar edhe dhjetëra policë.
Sipas raporteve të mediave, Sariç kishte qasje në pesë telefona, dy telefona satelitorë dhe një me aplikacionin e koduar të mesazheve Sky, i cili ishte i njohur në mesin e bandave të krimit të organizuar dhe kontrabandës së drogës.
Sariç, i cili dyshohet se ka qenë prej vitesh një nga baronët më të mëdhenj të drogës në Ballkan, u dënua në vitin 2018 me 15 vjet burg për kontrabandën e 5.7 ton kokainë nga Amerika e Jugut në Evropë. Por vendimi u rrëzua në qershor të vitit të kaluar dhe çështja u kthye në gjykatën e apelit.
Në dhjetor 2021, Sariç u lirua nga paraburgimi dhe u la në arrest shtëpie.
Operacioni policor ku u arrestua Sariç u krye edhe në Kroaci, ku Ministria e Brendshme tha se në bashkëpunim me Zyrën për Luftën kundër Krimit të Organizuar, USKOK, arrestoi dhjetë persona të cilët dyshohet se kanë kontrabanduar të paktën një ton e gjysmë kokainë nga Amerika e Jugut.