Polici vrau 7-vjeçaren me skaf, Mira Kazhani: Tragjedi ndodhin dhe në Amerikë

Gazetarja Mira Kazhani ka reaguar çuditshëm në lidhje me tragjedinë në Himarë, ku një skaf, i drejtuar nga punonjësi i policisë, Arjan Tase, përplasi për vdekje një 7-vjeçare. Kazhani, e cila përplasi me makinë në autostradën Tiranë-Durrës një kalimtar, ndër të tjera në shkrimin e saj, thotë se, tragjedi të tilla ndodhin kudo në botë, në Europë e Amerikë.

“Tragjedi ndodhin kudo, gabime, aksidente, të lajthitur, kriminelë e mendje të sëmura vrasin në Europën e zhvilluar. Në Amerikë, pa u tharë një palë lot, një tjetër i çmendur po projekton një shkollë fëmijësh që të futet me armë”, shkruan ndër të tjera gazetarja, që në 2018, kur studentët protestonin, në vend që t’i mbështeste se kërkonin të drejtat e tyre, u përplas me ta.

Nga Mira Kazhani

Nuk ka asnjë lajm më të keq sesa kur vdes një fëmijë. Sa herë që ka ngjarje të tilla të gjithë bëhemi empatikë dhe jetojmë me tragjedinë, siç ndodhi sot me vogëlushen që humbi jetën kur një skaf – thonë – se doli jashtë kontrollit, duke i marrë jetën një 7-vjeçareje me pushime, në ditën më të gëzuar. Për një fëmijë s`ka asgjë që krahasohet me qëndrimin në det. Ata e duan shumë detin, ndoshta në një botë përrallash, sa peshqit vetë.

Ngjarja tragjike e Himarës, që e ktheu një vogëlushe në sirenë përjetë, ka nga pas një lumë arsyesh që lidhen me papërgjegjshmërinë, që është institucionale dhe pastaj njerëzore. Fillimisht, boll shamë veten! Ne nuk jemi popull i keq! Ose jemi i keq sa ç’janë italianët, grekët, suedezët dhe amerikanët a spanjollët. Çdo popull ka qeverisje, shkolla, modele, artistë, këngëtarë, gazetarë, mësues e rini që ndjek frymën dhe ligjet e vendit të vet. Popujt bashkëjetojnë mes rregullash, ligjesh, policesh, politikanësh, mësuesish, etj.

Nëse ti je në një mjedis ku të gjithë veprojnë si duan, ku i kontrollojnë si duan, nuk e mat më ku fillon rregulli. Është e vështirë madje të kuptosh çfarë po bëhet gabim, sepse është aq gabim, sa jemi mësuar dhe veç krahasimi me mjedise të tjera na shkund e na kujton se jo, nuk bëhet kështu. Bota ka rregulla, siç ka edhe gusht e janar. Ka edhe aksidente apo tragjedi, se për këtë botë janë të gjitha të mirat dhe të këqijat.

Në fakt, kur vjen puna për kontroll, vetëkontroll, rregulla, disiplinë… Shqipëria, ende, fatkeqësisht, nuk është vendi i duhur. Tragjedi ndodhin kudo, gabime, aksidente, të lajthitur, kriminelë e mendje të sëmura vrasin në Europën e zhvilluar. Në Amerikë, pa u tharë një palë lot, një tjetër i çmendur po projekton një shkollë fëmijësh që të futet me armë.

Në Neë-York, një shoqe që jeton atje, më tha se nuk para e merr metronë në orët e vona, sepse ka shumë të sëmurë në rrugë dhe çdo ditë ka ngjarje të rënda. Epo ironike, por ja që në Shqipëri nuk duket të kemi kështu fenomenesh, të paktën jo në masë. Pse? Jemi vend i vogël dhe njerëzit nuk janë aq të vetmuar apo të sfiduar nga mbijetesa dhe konkurrenca e kapitalizmit.

Një lloj dembelizmi, apatie ekonomike, ku gjithmonë një nga familja mban edhe tjetrin, atë të dobëtin. Ai zinxhiri empatik i familjes këtu, që ende funksionon… Prodhojmë më pak individë të sëmurë që veprojnë në izolim – opinion i pambështetur në ndonjë studim.

Problemi i asaj Shqipërisë që e duam të gjithë, edhe ata që e shajnë, edhe ata që i ikin, edhe ata që e mbrojnë, promovojnë dhe ata që me arrogancë apo injorancë e vrasin nga pak çdo ditë, këta të fundit e shtrydhun si limon duke i shijuar pa pikë rregulli bukuritë e saj, liritë, detin, malet, dhe sidomos falë mendjelehtësinë institucionale. Për ata ky është vendi më komod në botë. Për të tjerët, që absolutisht janë shumicë, qytetarë të ndershëm e të mirë, është atdhe, atdhe që ndonjëherë i kthen vogëlushet në sirena, familjet në zi, pushimet në skenë krimi. Atdheu është dhimbje, dhimbje – si në poezinë e famshme të Fatos Arapit.

Pse është Jugu kaq i kritikuar, kaq polarizues? Sa i bukur, bukuri që të çmend, aq nervoz dhe përjashtues përherë e më shumë.

Pak a shumë të gjithë e kemi parë diellin jashtë vendit dhe atje ka edhe më shumë skafe, jahte, korçera, motora uji, por atje nuk ndodh kaq lehtë gjëma në breg, si tek ne. Para dy javësh isha në Palasë dhe “u kënaqa” me erën e benzinës dhe barishtet nga skafet deri në breg. Zero rregulla! Vetëm çmimet janë të menduara mirë me rregullin shumëzoje me tre. Një vezë 8 mijë lek të vjetra, por që nuk u porosit. Jo pa arsye shqiptarët (ata të Atdheut) e kanë braktisur Jugun, jo se nuk e duan, aq më pak se nuk e meritojnë, por ai sot është pronë e të pasurve dhe fëmijëve të të pasurve dhe ti e gjen veten të përjashtuar që kur kupton se s`mund të porositësh as një vezë për mëngjes dhe largohesh me bindjen se nuk ke dëshirë të kthehesh më. Edhe pse në Jug duhet të kthehemi, sepse është deti i të gjithëve e për të kanë luftuar të parët tanë, jo këta bujtësit zengjinë të rinj.

Dhe po, le të ketë zona të shtrenjta, sepse mund të kemi një turizëm elitar, siç duhet me pas edhe turizëm të thjeshtë, për të gjithë. Asnjë lloj “dolçe vita” nuk e justifikon shkeljen e rregullave. Krimi nis që nga çmimi i një veze sy, e për të vazhduar më pas me arrogancën që duket si mënyrë pushimesh, që çon deri në fatalitete.

Një ngjarje tragjike është aksidentalisht një moment për të parë realitetin në sy! Shqipëria është një vend i mahnitshëm për të pushuar, njerëzit janë të dashur dhe europianë. Mes nesh ka bar të keq, si kudo. Ka trafikantë si në Spanjë, Amerikë e Itali, por çelsi është tek imponimi i disa normave që bota e ka provuar që zbatohen vetëm me institucione të forta.


Shtuar 3.08.2022 15:14